SHBA shqyrton kërkesën për vizë nga Saleh

26/12/2011 18:00

Autoritetet amerikane janë duke konsideruar një kërkesë për vizë udhëtimi nga ish-Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh.

Të shtunën, Saleh u shpreh se do të ishte i gatshëm të largohej nga vendi, për të qetësuar protestat në vendin e tij.

Ai qartësoi se nuk do të kërkojë një vizë për arsye shëndetësore, edhe pse një zyrtar i lartë amerikan u shpreh se udhëtimi mund të lejohet vetëm për këto arsye.

Saleh nënshkroi një marrëveshje për ndërrimin e pushtetit një muaj më parë, duke i dhënë fund një krize politike që shkaktoi qindra të vdekur.

Sipas marrëveshjes, është zëvendësi i tij ai që merr funksionin e presidentit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa njeriu që ka drejtuar për 32 vitet e fundit vendin më të varfër të botës arabe duhet të largohet nga çdo funksion deri në shkurt.

Megjithatë, opozita jemenase ka bërë thirrje për largimin përfundimtar të Saleh nga vendi, me argumentin se vetëm prezenca e tij në Jemen do të jetë një kërcënim i vazhdueshëm për qëndrueshmërinë politike në vend. Sipas tyre, nëse nuk do të largohet, atëherë nuk duhet t’i jepet imunitet nga ndjekja ligjore.

Jemeni, me popullsi prej 24 milion banorësh, është vendi më i varfër i botës arabe dhe përballet me sfida si vështirësitë ekonomike, lëvizjet separatiste, lindja e rrymave militante e paqëndruesmëria e theksuar politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA