Ministri i Jashtëm i Rusisë ka akuzuar Perëndimin për një qëndrim
“imoral” ndaj Sirisë, duke deklaruar se opozita siriane duhet dënuar
njësoj si forcat e sigurisë.
Sergei Lavrov tha se grupet e opozitës në Siri po përpiqen të shkaktojnë një “katastrofë humanitare” për të siguruar mbështetjen e fuqive perëndimore.
Zoti Lavrov mbrojti një projekt alternativ të hartuar nga Rusia dhe Kina, ku i bëhet thirrje të dyja palëve të përfshira në konflikt që të distancohen nga dhuna.
Ai e cilësoi si “imoral” qëndrimin e “atyre që refuzojnë të ushtrojnë presion ndaj asaj pjese ekstremiste dhe të armatosur të opozitës dhe që në të njëjtën kohë bllokojnë punën e Këshillit të Sigurimit”.
Shefi i diplomacisë ruse u shpreh më tej se forcat e opozitës në qytetin e Homsit kanë sulmuar në mënyrë barbare spitale dhe shkolla.
“Për mua është e qartë se qëllimi i tyre është të shkaktojnë një katastrofë humanitare, për të pasur një pretekst për të kërkuar ndërhyrje të jashtme në konflikt”, theksoi Lavrov.
Rusia ka akuzuar disa herë Perëndimin se përdor Kombet e Bashkuara në përpjekje për të ndryshuar regjimin qeverisës në Sirinë e përfshirë nga protestat popullore.
Komentet e ministrit të Jashtëm vijnë pasi shefja e të drejtave të njeriut në OKB, Navi Pillay tha në Këshillin e Sigurimit se cështja e Sirisë duhet të trajtohet në gjykatën e Hagës, pasi 5 mijë persona kanë vdekur.
Në tetor, Rusia dhe Kina vendosën veton në Këshillin e Sigurimit ndaj rezolutës së prezantuar nga Franca dhe Britania që dënonte Sirinë për dhunën ndaj civilëve.
Top Channel