Libia nuk gjen paqe! Në Bengazi, vendi nga ku morën udhë protestat si revoltë popullore kundër regjimit të Gadafit, e që më pas do të shndërroheshin në një luftë civile të mirëfilltë, kanë rinisur sërish manifestimet.
Këtë herë, protestuesit janë ngritur kundër Komitetit Kombëtar të Tranzicionit, i udhëhequr nga Mustafa Abdel Jalil.
Mijëra persona dolën në rrugë dhe në sheshet e qytetit të dytë më të madh të Libisë në shenjë proteste kundër drejtimit të Komitetit të Tranzicionit.
Protestuesit denoncojnë, sipas tyre, reformat tepër të ngadalta dhe akuzojnë krerët e Komitetit se nuk po mbajnë premtimet e revolucionit, njëra nga të cilat ishte shndërrimi i Bengazit në një kryeqendër të Libisë.
Menjëherë pas protestave, Abdelrazak al Aradi, një zyrtar i lartë i Komitetit të Tranzicionit, njoftoi se në Bengazi do të shndërrohet në një kryeqendër ekonomike e Libisë.
Ai tha se disa ministri dhe institucione të tjera me karaktere ekonomike, do të zhvendosen në këtë qytet, për t’i dhënë më shumë gjallëri dhe mundësi punësimi.
Top Channel