Nis samiti i BE

08/12/2011 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian mbërritën në Bruksel për të marrë pjesë në samitin më të rëndësishëm që synon të shmangë përhapjen e krizës se borxhit në eurozonë dhe si dhe të shpëtojë monedhen e përbashkët.

Cështja kryesore në axhendë është produkti i takimit “Merkozy” në Paris, për një discipline buxhetore, me ndëshkime automatike për vendet e eurozonës që tejkalojnë shpenzimet.

Bisedimet që zgjatën 45 minuta para samitit mes Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë përfunduan pa asnjë marrëveshje, sepse secili shtet nuk ndryshon pozicionin e tij.

Kryeministri britanik, David Kameron deklaroi se do të vendoste veto kundër cdo propozimi që do të dëmtonte interesat britanike. Kancelarja gjermane nënvizoi humbjen e kredibilitetit të euros.

Në fakt në këtë samit, Gjermania dhe Franca kanë ardhur me një marrëveshje dhe apeli i Merkel dhe Sarkozi është: o merreni, o hidheni.

Kancelarja gjermane dhe presidenti francez kërkojnë ndryshime të traktatit të Bashkimit Europian, me rregulla fiskale strikte

Plani franko-gjerman mbështetet në katër pika të rëndësishme:


1- Komisioni Europian të ketë pushtetin për të vendosur ndëshkime për vendet që tejkalojne deficitet buxhetore.

2- Të gjithë vendet anëtare të eurozonës duhet të përmirësojnë legjislacionin për të kërkuar buxhet të balancuar.

3 -Taksë e njëhësuar për korporatat dhe transaksionet financiare.

4 – Cdo plan shpëtimi i ardhshëm nuk do t’u kërkojë investitorëve privatë të absorbojnë pjesë të kostove, sic ndodhi në rastin e Greqisë.

Ndërkohë Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj propozon “marrëveshje fiskale” për të cilën nuk do të duhen ratifikime që do të zgjasin nga parlamentet apo referendumet kombëtare. Për traktatin e fundit të BE-së, të miratuar në 2007 në Lisbonë u deshën tetë vjet për ta negociuar.


Më herët, gjatë fjalimit në takimin e Partisë Popullore Europiane në Marsejë, në jug të Francës, Presidenti francez Nikola Sarkozi paralajmëroi se rreziku i shpërbërjes së Europës po bëhet gjithnjë më i afërt dhe kërkoi arritjen e shpejtë të një marrëveshje.

Banka Qëndrore Europiane uli normën e interesit, në 1 %. Presidenti i saj, italiani Mario Dragi u bëri thirrje qeverive europiane të ulin huamarrjen dhe të reformojnë ekonomitë e tyre, por pa përmendur ndonjë mbështetje financiare nga BQE për vendet në vështirësi.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë interes në suksesin e këtij samiti. Kjo u nënvizua gjatë takimit në Romë, mes sekretarit amerikan të Thesarit Timoti Gajtner dhe kryeministrit italian, Mario Monti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA