Me 15 vota pro dhe 1 kundër Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka pranuar
padinë e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sipas së cilës Greqia
ka shkelur Marrëveshjen e Ndërmjetme të vitit 1995, duke sjellë
kundërshtime në anëtarësimin e Shkupit në Aleancën Euro-Atlantike përgjatë
samitit të NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Athina zyrtare ka bërë një bilanc paraprak të atyre që ka humbur dhe që ka fituar në këtë betejë gjyqësore me fqinjin e saj verior.
Udhëheqja greke e konsideron të dizfavorshëm vendimin se, Greqia ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme të 13 shtatorit 1995, duke sjellë kundërshtime në pranimin e Shkupit në Aleancën Euroatlantike.
Sipas këtij vendimi, Athina ka shkelur paragrafin e parë të ligjit 11 dhe se prej tani e tutje ajo nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Maqedonisë në çdo organizatë ndërkombëtare, ku Greqia është anëtare, nëse kjo bëhet me emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Por nga ana tjetër, gjykata ka hedhur poshtë të gjitha parashtresat e tjera të bëra nga Shkupi në këtë akuzë. Sipas deklaratës për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, Athina me respekt të plotë ndaj Gjykatës Ndërkombetare të Drejtësisë, thekson se do të analizojë vendimin e saj, të cilin e quan të balancuar.
“Nëse Haga ka përcaktuar me anë të vendimit të saj, se Greqia ka shkelur detyrimet e saj në samitin e Bukureshtit, kjo nuk e detyron udhëheqjen greke të mos përsërisë kërkesa të ngjashme në të ardhmen” – thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, diplomacia greke sqaron se vendimi i Hagës nuk ka të bëjë aspak me cështjen e emrit të Maqedonisë, për të cilin sqarohet nga gjykata se duhet të vazhdojë të zgjidhet vetëm nëpërmjet negociatave të mbikëqyrura nga OKB.
Për hapat e mëtejshëm në fushën diplomatike pritet të vendosë një takim i kryeministrit grek Papadhimos me udhëheqësit e partive që përbëjnë qeverinë e re të unitetit kombëtar.
NATO: Vendimi i Hagës, nuk cënon vendimin e 2008-s
NATO ka reaguar mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e cila bllokohet nga Greqia për integrimin e mëtejshëm në strukturat euro-atlantike.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fog Rasmusen, thotë se vendimi i kësaj Gjykate nuk cënon vendimin e marrë nga aleatët në Samitin e Bukureshtit të 2008-s, duke lënë në fuqi kushtëzimin e antarësimit të Maqedonisë në NATO me arritjen e marrëveshjes për emrin me Greqinë.
Ivanov: Greqia të zbatojë vendimin e GJND-së
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka reaguar pas vendimit të GJND-së ndaj padisë së bërë nga vendi i tij ndaj Greqisë, duke deklaruar se ai i jep prestigj politikës shtetërore të Maqedonisë.
“Për këtë arsye, Republika e Maqedonisë kërkon nga ajo e Greqisë të njëjtën gjë që kërkon GJND-ja, respektimin dhe zbatimin me efikasitet të Marrëveshjes Kohore, si dokumenti i vetëm që rregullon marrëdhëniet mes dy shteteve”, ka deklaruar Ivanov.
Ai ka vijuar duke thënë se, “në vend që ta pengojë, Republika e Greqisë duhet ta mbështesë integrimin tonë në organizatat ndërkombëtare, pikërisht në bazë të kësaj marrëveshjeje”.
Duke folur pas një takimi me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, presidenti ka shprehur kënaqësinë e tij për vendimin e Hagës.
“Ne edhe më tej do të vijojmë ta zbatojmë Marrëveshjen Kohore, në mënyrë konstruktive sic kemi bërë deri tani, si dhe do vijojmë të marrim pjesë në negociatat dypalëshe nën patronazhin e OKB-së për të gjetur një zgjidhje të pranueshme”, ka shtuar Ivanov.
Ahmeti: Vendimi, shtysë për zgjidhjen e kontestit
Ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi ka përshëndetur vendimin e GJND-së, ka vlerësuar se nga ky përfundim nuk ka as të humbur, e as të fituar. Sipas tij, vendimi duhet të shërbejë si shtysë për një zgjidhje të menjëhershme të kontestit të emrit mes dy palëve.
“Vendimi i gjykatës është dicka që duhet të shfrytëzohet për t’i dhënë fund kontestit me fqinjin jugor të Maqedonisë. Përvec zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja, shqiptarët e duan anëtarësimin në NATO edhe për arsyen se Aleanca do të mundësojë kupolën e sigurisë kolektive për shqiptarët, të cilët kanë qenë viktima të tragjedive të mëdha”, ka deklaruar Ahmeti.
Kreu i BDI-së ka shtuar se shqiptarët e Maqedonisë kanë qëndrim unik përsa i takon cështjes së emrit dhe do të mbështesin cdo kompromis të mundshëm me Greqinë.
Top Channel