Pakistani ka njoftuar se do t’i bojkotojë bisedimet mbi të ardhmen e
Afganistanit, në shenjë proteste ndaj sulmit të NATO-s që vrau 24
ushtarë pakistanezë në fundjavë.
Vendimi për të bojkotuar konferencën e javës së ardhshme në Bon të Gjermanisë vjen pas një mbledhjeje të qeverisë pakistaneze, të drejtuar nga kryeministri Yousuf Raza Gilani.
Pakistani deklaron se sulmi ajror shkeli sovranitetin e tij dhe mandatin e trupave ndërkombëtare në Afganistan.
NATO dhe qeveria amerikane kanë kërkuar falje për ngjarjen, duke i cilësuar si tragjike vdekjet e ushtarëve.
Pakistani ka reaguar ndaj sulmit ajror duke bllokuar rrugët e territorit të tij që përdoren për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan.
Mbledhja e së martës e kabinetit vjen pas rritjes së iritimit në radhët e opinionit publik dhe opozitës, që kërkon ashpërsimin e qëndrimit ndaj SHBA.
“Pakistani ka vendosur të mos marrë pjesë në konferencën e Bonit në shenjë proteste”, deklaroi një zyrtar i qeverisë për agjencinë e lajmeve “Reuters” pas mbledhjes së zhvilluar në Lahore.
Ushtria pakistaneze ka mohuar deklaratat se të shtënat e trupave të saj në pikën e kontrollit shkaktuan sulmet ajrore të NATO-s.
Ngjarja nodhi ditën e shtunë dhe një oficer i Aleancës pranoi përgjegjësinë e trupave ndërkombëtare në një intervistë për BBC.
Sulmi ka cënuar edhe më tej marrëdhëniet e acaruara prej kohësh mes NATO-s dhe Pakistanit, që është një aleat kyc në luftën kundër talebanëve.
Islamabadi zyrtar njoftoi të hënën vendimin për të rishikuar marrëdhëniet me SHBA, duke menduar edhe largimin e bazave amerikane nga vendi.
Njoftim pas të cilit Shtetet e Bashkuara, përmes Departamentit të Shtetit, shprehën shqetësimin e tyre për ardhmërinë e raporteve dypalëshe.
Top Channel