Pakistani dëbon bazat amerikane

27/11/2011 00:00

Pakistani ka vendosur të rishikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n pas sulmit të Aleancës një ditë më parë kundër dy postave ushtarake në veriperëndim të vendit, që shkaktoi të paktën 24 viktima.

Kryeministri pakistanez, Jusuf  Raza Gilani, dhe udhëheqës të lartë ushtarakë dhe qeveritarë diskutuan situatën në një takim urgjent të mbajtur orët e vona të së shtunës. Në deklaratën e tyre zyrtare thuhet se Islambadi do të rishqyrtojë të gjitha programet, aktivitetet dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe ISAF-in, përfshirë marrëveshjet diplomatike, politike, ushtarake dhe ato të zbulimit”.

Komisioni i kryesuar nga Gilani vendosi gjithashtu të ndërpresë rrugët e furnizimit të Aleancës që kalojnë në territorin pakistan për në Afganistanin fqinj. Vrasjet kryeministri i cilësoi një sulm kundër sovranitetit të vendit të vet, ndërsa për shefin e shtabit të ushtrisë pakistaneze, gjenerali Ashfak Pervez Kajani, episodi ishte një “akt i hapur dhe i papërgjegjshëm agresioni”.

Veprimet e qeverisë shkojnë edhe më tej me urdhrin drejtuar Shteteve të Bashkuara për tu larguar brenda 15 ditësh nga baza ajrore e Baluchistanit. Sipas Zërit të Amerikës, ka zëra se Agjencia Amerikane e Zbulimit, CIA, e përdor këtë bazë për sulmet sekrete me avionë pa pilot në unazën fisnore të Pakistanit, që sipas Uashingtonit shërben si strehë e sigurt për talebanët dhe fushatën e tyre kundër trupave amerikane në Afganistan.

Administrata amerikane e ka bërë të qartë se zyrtarët e saj e kanë marrë incidentin shumë seriozisht. Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, dhe kryediplomatja Hillary Clinton lëshuan një deklaratë mbrëmjen e së shtunës ku ofronin ngushëllimet e tyre të thella për jetët e humbura njerëzore dhe mbështetjen e plotë për nisjen e një hetimi të menjëhershëm të NATO-s mbi këtë ngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA