Francë, protestë e dhunshme anti-bërthamore

23/11/2011 21:15

Disa qindra protestues u përleshën të mërkurën me policinë franceze në qytetin verior të La Hagës, ndërsa 12 prej tyre u arrestuan, në përpjekjen për ndalimin e transportimit me tren të disa mbetjeve radioaktive për në Gjermani.

Sipas protestuesve, transportimi i mbeturinave të një centrali bërthamor për në qëndrën e tij të përpunimit përtej kufirit, një rrugë disa qindra kilometra e gjatë, përmbante rreziqe të mëdha për shëndetin publik.

Ndonëse autoritetet theksojnë se transporti është kryer me një tren tërësisht hermetik dhe me materjal të veçantë jopërcjellës ndaj rrezatimeve, protestuesit u përpoqën të bllokonin shinat e trenit duke vendosur inerte dhe një makinë në flakë, episod që shkaktoi edhe tre të plagosur.

“E vetmja gjë për të cilën shqetësohen politikanët tanë është rritja ekonomike, a thua se ajo në vetvete është më e rëndësishme se vetë shëndeti ynë”, deklaroi njëra prej protestueseve.

Franca është vendi më i varur në Bashkimin Europian nga energjia bërthamore. Demonstruesit kërkojnë që edhe qeverie franceze të veprojë si Gjermania, ku të gjithë reaktorët bërthamorë do të mbyllen gradualisht brenda dhjetë viteve të ardhshme, kohë gjatë të cilës do të ndërtohen gjithmonë e më shumë kapacitete energjie konvencionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA