Dhuna ndaj grave, si mund të ndalet

23/11/2011 19:25

Gazetarja dhe aktivistja Iris Luarasi, organizatore e një proteste kundër dhunës ndaj grave, demonstratë e mbajtur përpara Kryeministrisë ditën e mërkurë, foli për thellësinë e problemit të krimit në familje në emisionit e “Pasdites” në “Top-Channel”.

17 femra janë masakruar nga burrat e tyre, brenda 10 muajve të këtij viti. Vetëm më 20 nëntor, dy gra u vranë në mënyrë barbare nga burrat e tyre për shkaqe xhelozie, por janë shumë më tepër ato që përditë dhunohen fizikisht dhe nuk kanë guximin të denoncojnë.

Rrjeti i organizatave të shoqerisë civile, në një protestë paqësore të zhvilluar përpara Kryeministrisë kanë kërkuar që shteti të ndalet përpara këtyre viktimave dhe të marrë masa më të ashpra ndaj autorëve të krimit.

“Fillimi i nëntorit shënonte edhe javën e luftës kundër dhunës ndaj gruas. Kishim menduar për një organizim më të madh, por të dielën dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre. Si rrjedhojë, vendosëm që të mbanim këtë protestë përpara institucioneve të shtetit. 17 viktima është numri më i madh që kemi patur brenda dy viteve ose një vit e gjysmë. Zonat urbane dhe rurale nuk kanë diferenca të mëdha. Ndonëse shumica e krimeve ndodhin në zonat rurale, shumë ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur edhe nëpër qytete”, dëshmtoi Zonja Luarasi.

Duke trajtuar më thellë problemin akut të krimit në familje, Irisi shtoi: “Protesta e sotme kishte si qëllim përkujtimin e grave të vrara, por gjithashtu synon të tundë një këmbanë alarmi. Në të vërtetë, do të kishte më kuptim që demonstrata të mbahej përpara parlamentit, por nuk kishte seancë parlamentare, kështu që për të mos qënë përpara një godine bosh, vendosëm të shkonim përpara Kryeministirsë. Parlamenti duhet të miratojë si vepër penale dhunën në familje. Kemi një ligj shumë të mirë, i miratuar në 2007-n, ligji që ka nisur të zbatohet në shumë vende, por jetojmë në një realitet ku është ndryshme të miratosh një ligj dhe një gjë krejt tjetër ta zbatosh atë”.

Drejtuese e një qëndre për mbrojtjen e grave dhe e linjës për këshillimin e rasteve të dhunuara, Luarasi ndalet në raste konkrete. “Në linjën tonë të këshillimit ka qenë rasti i një gruaje në Librazhd që kishte marrë guximin të denonconte bashkëshortin e saj dhe polici i thonte që të mos ta bënte, sepse bashkëshorti ishte njeri i mirë dhe i kërkonte ta kuptonte kur e rrihte pasi e kishte tepruar e ndonjë gotë. Ka edhe raste ai ai kur shteti funksionon. Një mësuese në një fshat në Shkodër denoncoi bashkëshortin e saj dhe policia e arrestoi në vend. Të nesërmen, askush nuk i fliste në fshat, sepse sipas kodit të pashkruar që nderohej në atë zonë, ishte normale të rriheshe, por nuk mund të mos i bindesh bashkëshortit. Dhuna është në vetvete një problem, por duhet punuar në dy plane, edhe në atë të ndërgjegjësimit. Rasti më i tmerrshëm është ai një vajze 16-vjeç, që disa vite më parë u vra nga babai i saj sepse kishte ardhur në shtëpi në mesnatë, e shoqëruar nga njeriu që dashuronte dhe jo nga ai që ai i kishte zgjedhur për t’u martuar. Nëna, e morri, e lau vajzën sikur të mos kishte ndodhur gjë dhe lajmëruan farefisin që u kishte vdekur e bija. Gjithçka normale, pa tronditje, pa asgjë. Policia e zbuloi fare rastësisht këtë ngjarje, nga thashethemet që qarkullonin. Megjithatë, Fiqiretja 16 vjeç u vra dy herë. Ajo u vra edhe nga ligji, që e dënoi babain vetëm me një vit e shtëtë muaj burg, duke cituar traditat kanunore si veprim lehtësues, çka ligjëron kanunin. Kjo ishte e tmerrshme, ashtu siç ishte i tmerrshëm pasqyrimi që bënë mediat, që transmetonin raporte të bashkëfshatarëve që thonin se bënë mirë që e vranë. Në këtë rast duhet të ekzistonte një lloj autocensure”.

Sipas Luarasit, është e domosdoshme që edhe gjyqësori shqiptar të ndryshojë praktikat e tij. “Në këtë situatë të ndërlikuar, me pjesën e shoqërisë patriarkale, gjyqet nuk duhet të zgjasin përjetësisht. Viktimat nuk duhet të jetojnë në një banesë me atë që i dhunon. Janë këto situate ato që çojnë në krim, jo vetëm të vrasjes së gruas nga burri, por edhe të vrasjes së burrit nga gruaja, raste që janë po aq tragjike. Janë këto gratë që vrasin burrat dhe i vënë kryq jetës. Është e domosdoshme që dhunuesit të ndëshkohen sa më shpejt dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet kriminalizimit të dhunës në familjes, që duhet të futet në legjislacionin e shtetit si një vepër penale”.

Në linjë telefonike, zëvendësministria e Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra, theksoi: “Shoqëria civile meriton të përshëndetet pasi është bërë nismëtare e ligjeve të rëndësishme. Kemi një legjislacion të mirë, që harton ligje dhe që kujdeset që ato të bëhen funksionale. Një ndër ligjet më të rëndësishme që kemi miratuar është ai për për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje, i miratuar si akt dhe i plotësuar e akte nënligjore. Ka filluar zbatimi i sistemit të referimit, ku për të gjitha viktimat e dhunës gjenden persona që i mbrojnë, i drejtonë dhe ndihmojnë për të dalë nga gjendja e vështirë. Dhuna në familje duhet ndaluar dhe kjo bëhet nëpërmjet ligjit. Gjithashtu, kemi kërkuar kriminalizimin e dhunës në familje, proces që kërkon kohën e tij”.

Në një mesazh sensabilizues, Kodra shtoi: “Gratë të jenë të informuara që ekzistojnë mekanizma, shoqata për mbrojtjen e ndërgjegjësim të grave që ndodhen në vështirësi. Duke nisur nga shoqata këshillimi dhe mbrojtje civile, e deri tek Qëndra Kombëtare e Grave të Dhunuara, që i ofron mbrojtje dhe strehim të gjitha viktimave të këtyre rasteve”.

Bashkëbisedimin e plotë të emisionit të pasdites mund ta ndiqni në serine e emisionit të “Pasdites”, të postuar midis videove të faqes sonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA