Kryeministri i Anglisë, David Cameron dhe Kancerlarja Gjermane, Angela Merkel, do të takohen të premten për të tentuar gjetjen e një qëndrimi të përbashkët rreth krizës financiare.
Londra dhe Berlini kanë patur deri tani qëndrime të kundërta mbi mënyrën se si mund të zgjidhen problemet e Eurozonës. Ndonëse të dy shtetet janë shprehur pro stabilizimit të euros dhe zbatimit të reformave shtrënguese në Itali dhe Greqi, Londra është shndërruar në kritike të ashpër të planit gjerman për më shumë integrim ekonomik.
Merkel ka propozuar vendosjen e sanksioneve për vendet që nuk respektojnë kriteret financiare, por ideja është kundërshtuar nga pala britanike, me argumentin se një vendim i tillë do të dëmtonte sovranitetin e shteteve mbi ekonominë e tyre.
Gjithashtu, Britania është kundër idesë së taksimit të konsideruar ironikisht prej tyre si skema e “Robin Hood”, e cila do të tatojë më shumë vendet e pasura të Bashkimit Europian.
Kryeministri Cameron do të mbërrijë në Berlin, në një kohë kur gjermanët e kanë kritikuar ashpër qëndrimin britanik. Nga ana e saj, Merkel ka shprehur një qëndrim më të moderuar, duke thënë se “pavarësisht divergjencave, nuk ka asnjë përplasje midis të dy shteteve, që mbeten të angazhuara për të zgjidhur problemet europiane”.
Takimi i dy shtetarëve është errësuar nga frika e përhapur në Eurozonë, me Francën që iu bashkua gjatë javës vendeve si Spanja dhe Italia, huamarrja për të cilët është shumë më e shtrenjtë, llogaritur me vetëm disa muaj më parë.
Top Channel