Policia në Gjermani kreu ditën e hënë një arrestim të dytë, pas zbulimit të provave të besueshme që lidhin një grup neonazist me vrasjen e nëntë shtetasve të huaj.
Një antar i grupit pro-hitlerian të vetëquajtur “Partia Nacional Socialiste Nëntokë”, u arrestua më parë gjatë ditës në qytetin e Hanoverit.
Grupi konsiderohet fajtor për ekzekutimin dhe zhdukjen e trupave të tetë turqve dhe një gruaje greke. Celula u zbulua vetëm pasi dy antarë u arrestuan për ngjarje të tjera dhe dëshmuan për vrasjet. Dy të tjerë kryen vetvrasje nga frika e zbulimit.
Beate Z., një prej antareve femra të grupit, u arrestua përpara një jave në qytetin lindor të Ajsenahut, për akuzat e grabitjes së armatosur të një banke. Ishte ajo që foli e për ritet makrabe të “PNSN”-së.
Një pistoletë u zbulua gjithashtu në një prej mjeteve që i përkisnin të arrestuarve dhe arma është e njëjta që vrau me një plumb në kokë një shtetase greke në vitin 2007, ngjarje e ndodhur në një pyll pranë qytetit të Heilbronit.
Ringjallja e grupimeve neonaziste ëstë përjetuar me shqetësim nga policia gjermane, e cila është duke hetuar edhe për bombvëniet në hekurudhat përreth Berlinit. Në tetor, tre bomba shkatërruan pjesë të shinave, duke tentuar të provokonin aksidente të trenave të shpejtësisë së lartë.
Merkel: E shokuar, shteti do të reagojë me forcë
Disa orë pas shkatërrimit të celulës së frikshme neonaziste, Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, u deklarua “e shokuar” nga një lajm i tillë.
”Është e turpshme që diçka e tillë ka ndodhur në vendin tonë. Do të hetojmë deri në fund ngjarjet, së paku këtë ia kemi borxh atyre që kanë humbur jetën në këto akte mizore.
Pa dyshim, tashmë ka një përmasë të re të dhunës së ekstremistëve të djathtë dhe shteti do të reagojë duke treguar të gjithë ashpërsinë e tij ndaj ngjarjeve të tilla”.
Grupimet neonaziste janë të izoluara dhe të margjinalizuara në jetën politike gjermane, por në vitet e fundit kanë kryer sulme të rregullta ndaj emigrantëve.
Top Channel