Franca në alarm nga moti i keq

05/11/2011 17:20

Në jug të Francës është shpallur gjendja e alarmit për shkak të motit të keq, e cila është zgjeruar deri në zonat në kufi me Italinë.

Sipas agjencive franceze të lajmeve, paralajmërimet e autoriteteve janë shtrirë deri në Alpet Detare, ku ndodhet Bregu i Kaltër dhe në Alpet e Provencës së Sipërme.

Burimet saktësojnë se janë gjithësej 16 rajonet e përfshira nga alarmi, me pak fjalë, të gjitha ato në krahun bregdetar në jug-lindje të vendit.

Burimet nënvizojnë më tej se shqetësimet kryesore janë për lumenjtë e tejmbushur për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Vendi më i prekur i Evropës nga përmbytjet deri tani rezulton të jetë Italia, në vecanti rajoni i Ligurias, ku ujërat dhe balta kanë vërshuar në zonat e banuara.

Vetëm ditën e premte në qytetin e Xhenovës humbën jetën gjashtë persona, mes të cilëve një nënë shqiptare dhe dy vajzat e saj, të cilët u përfshinë nga vala e ujit.

Qyteti verior vijon të jetë i tronditur nga vala e përmbytjeve dhe duket i gjunjëzuar para fenomenit natyror, që përvec Ligurias ka përfshirë edhe zona të tjera të veriut të Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA