Ministri britanik për Cështjet Evropiane, David Lidington ka deklaruar nga Beogradi se cështja e veriut të Kosovës nuk mund të shtyhet përgjithmonë.
Zyrtari britanik ka deklaruar se rifillimi i dialogut Prishtinë-Beograd është shumë domethënës për procesin e integrimeve evropiane të Serbisë.
Ndonëse jo drejtpërdrejt, Lidington ka lënë të kuptohet se Kosova do të jetë një detyrim për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Mendimi i Komisionit Evropian thotë qartë se cështja e marrëdhënieve me fqinjët është absolutisht e domosdoshme”, ka thënë Lidignton.
Raundi i fundit i dialogut Prishtinë-Beograd, i parashikuar të mbahej më 27 dhe 28 shtator, u anulua pasi BE dhe SHBA nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen në portat kufitare në veri.
Dialogu nisi në muajin mars të këtij viti, ndërsa deri më tani janë arritur 5 marrëveshje, zbatimi i të cilave po pengohet nga Serbia.
Rreth një javë më parë, zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic njoftoi se Brukseli kishte marrë konfirmim nga Prishtina dhe Beogradi për gatishmëri për rifillimin e bisedimeve.
Kthimi në dialog është një kusht që edhe vende të tjera të BE-së i kanë vënë Serbisë për të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Top Channel