Tajlandë, alarm për përhapjen e epidemive

31/10/2011 16:30

Nuk mjaftojnë përmbytjet që kanë pushtuar pjesën më të madhe të kryeqytetit të Tajlandës, Bangkokut dhe që kanë shkaktuar më shumë se 370 viktima, pasi vendi i madh aziatik është tashmë nën rrezikun e përhapjes së epidemive.

Alarmin e dhanë gjatë të hënës organizatat shëndetësore të vendosura në Bangkok, ku si rrjedhojë e përmbytjeve, ujrat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, në të njëjtën kohë që numri i mushkonjave është rritur në mënyrë drastike. Me qytetin me mbi tetë milion banorë nën ujë, një tjetër rrezik i madh vjen nga dekompozimi i kafshëve të ngordhura kudo në zonat urbane.

”Ujrat kanë marrë ngjyrë të zezë dhe përmbajnë plehra, kafshë të ngordhura dhe një erë të qelbur. Mushkonjat janë duke u rritur në mënyrë drastike”, deklaroi kryebashkiaku i Bangkokut, duke kërkuar ndihën e autoriteteve.

Si rrjedhojë e sezonit më të ashpër të musoneve në dekada, 370 persona janë konfirmuar të vdekur deri tani, me qindra mijëra janë të pastrehë, më shumë se dy milion kanë pësuar dëme ose kanë humbur bizneset e tyre, ndërsa fatura ekonomike për shtetin llogaritet në gjashtë miliardë dollarësh dëme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për kujdes të menjëhershëm të autoriteteve për të marrë masa në paralajmërimin e epidemive si diarrea, ethet tropikale, kolera apo malarja. Situata është më e rëndë në periferinë e Bangkokut, ku disa zona janë të përmbytura që prej dy javësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA