Një i vdekur dhe disa të plagosur seriozisht u regjistruan në Athinë, me përplasjet midis protestuesve dhe forcave të rendit që vazhduan për të dytën ditë radhazi, ndërsa një turmë e llogaritur në mbi 100 mijë persona u mblodh për të protestuar përpara parlamentit ndaj planit të shkurtimeve.
Të rinj të maskuar me kapuçë dhe maska sulmuan një grup sindikalist përfaqësues të Partisë Komuniste me bomba molotov dhe gurë, duke detyruar policinë që të ndërhynte me forcë dhe gaz lotsjellës. Pasi u godit në kokë me një prej sendeve të forta, një 53-vjeçar ndërroi jetë më pas në spital.
Sindikatat i kanë bërë thirrje punëtorëve të saj që të protestojnë në mënyrë civile, në një manifestim masiv 48-orësh i shpallur i paligjshëm prej Athinës zyrtare. Megjithatë, konfrontimet nuk kanë mundur të shmangen dhe numri i të arrestuarve ka shkuar në disa dhjetëra.
Parlamenti grek pritet të miratojë më vonë gjatë ditës planin përfundimtar të shkurtimeve, i imponuar nga BE dhe vendet e tjera për të nxjerrë ekonominë greke nga kriza. Të mërkurën, me 154 vota pro dhe 141 kundër, u kaluar pjesa e parë e planit.
Greva dhe protestat në zhvillim konsiderohen si më të fuqishmet në të paktën 18 muaj. Për herë të parë, sindikatave dhe unioneve tregtare u janë bashkuar dhe pronarët e vegjël, nënpunës, punonjës portesh, ndërtimi dhe të sektoreve të tjerë privatë.
Midis masave më të ashpra që duhet të marrë qeveria greke për të siguruar këstet e tjera të huasë, nëpërmjet të cilave arrin ende të paguajë pagat, përfshin shkurtimin e 30 mijë vendeve të punës në administratës, reduktimin me 20-30 të pagave dhe pensioneve si dhe eliminimin e të gjithë bonuseve e shpërblimeve në punë.
Top Channel