Frika për Francën, bien bursat europiane

18/10/2011 15:55

Bursat europiane kanë regjistruar të gjitha rënie gjatë ditës së martë, ndërsa “Moody” paralajmëroi se vlerësimi i kreditit francez mund të reduktohet.

Si rrjedhojë, bursa franceze humbi 1,8% të kuotës së saj në pak orë, “FTSE” britanike pësoi 1% rënie, ndërsa gjermania “DAX” e mbylli me -0,4%.

Në një deklaratë gjatë mëngjesit, “Moody” paralajmëroi se mund të ndryshojë vlerësimin për ekonominë franceze nga AAA stabël, në AAA-, si rrjedhojë e perspektivave jo të mira për zhvillim, reduktimit të rritjes ekonomike dhe për shkak të krizës së borxheve në Eurozonë.

Në vlerësimin e “Moody” flitej edhe për rrezikun që financat franceze të vuajnë veçanërisht krizën e mundshme në shtete të tjera si Italia apo Spanja, çka do të detyronte Parisin zyrtar të devijonte fonde të rëndësishme për të shpëtuar vendet në krizë.

Liderat Europianë pritet të takohen të dielën e ardhshme, për të diskutuar mbi mundësitë konkrete që do të zgjidhnin krizën e borxheve, por kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi të hënën se gjetja e një zgjidhje të tillë mund të jetë ende larg.


Dita e sotme nuk ishte e mirë as për bursat aziatike, pas publikimit të statistikave që tregonin për një ngadalësim të ekonomisë kineze, si rrjedhojë e tentativave të Pekinit për të vendosur nën kontroll inflacionin gjigant.

Japonezja “Nikker” pësoi një goditje prej 1,5% si rrjedhojë e lajmit, ndërsa “Hang Seng” i Hong Kongut regjistroi një “pikiatë” prej 4,3%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA