Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka kërkuar nga Serbia dhe
Kosova, që ta zgjidhin mospajtimin kufitar dhe theksoi se kufijtë e
bllokuar janë të papranueshëm.
“Kërkoj nga Beogradi dhe Prishtina që t’i zgjidhin të gjitha çështjet, që janë në pritje dhe është e papranueshme që kufijtë janë të bllokuar”, tha Ban Ki Moon.
Sekretari i OKB-së theksoi se konfliktet zgjidhen përmes dialogut.
Edhe fëmijë në barrikada
Serbët e Kollashinit që nga mëngjesi i së hënës janë mbledhur pranë barrikadës kryesore në fshatin Zupç afër Zubin Potokut, në shenjë pakënaqësie ndaj KFOR-it rreth paralajmërimit të tyre për heqjen e barrikadave në drejtim të Bërnjakut.
Lajmin e ben të ditur Kosovapress, duke sqaruar se mes personave që qëndrojnë në barrikada janë edhe fëmijë, të cilët kanë braktisur mësimin për këtë shkak.
Ndërkohë të martën do të nisë transferimin e trupave të KFOR-it në pikat kufitare. Aksioni do të niste të henën, por komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews e shtyu atë 24 orë.
“Përfaqësuesit e komunave të Leposavicit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zvecanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur t’u ofrojë një ditë shtesë. Komandanti i KFOR-it vlerëson vullnetin e tyre për t’i hapur rrugët për furnizimin e trupave të KFOR-it në Jarinje e Bernjak”, thuhet në komunikatën për media të KFOR-it.
Në komunikatë gjithashtu theksohet: “Misioni i KFOR-it është ta ruajë një ambient të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e të gjitha komuniteteve në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të vendosur, të kujdesshme dhe të paanshme, në pajtim të plotë me mandantin tonë”.
Top Channel