Reforma, PBDNJ: Proporcional kombëtar dhe lista të hapura

14/10/2011 00:00

Përthyerja e votës së minoritetit etnik grek në dy zona elektorale, në
qarkun e Gjirokastrës dhe në Qarkun e Vlorës, penalizoi në zgjedhjet e
fundit Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Me rreth 18 mijë vota, (18078) kjo parti mundi të nxjerrë vetëm një deputet, kryetarin Vangjel Dule. Ndërkohë që Partia Demokratike me rreth 610 mijë vota (610463), nxori 68 deputetë, pra mesatarisht 8700 vota për cdo mandat. Vangjel Dule thotë se kur pjesemarrja e përgjithshme në votime nuk i kalon 50% të zgjedhësve, sic është rasti i Shqipërisë, vendi nuk mund të ketë luksin që të përjashtojë nga përfaqësimi edhe një pjesë tjetër të atyre qytetarëve që votojnë. Zoti Dule e ka një ide se si mund të ndreqet kjo anomali:

“Një sistem i hapur, edhe me konkurrim brenda kandidatëve të forcave politike, proporcional në rang kombëtar, me një prag pak a shumë si ai i Holandës, me 1%, do të ishte më përfaqësues dhe më fuksionali”, tha Dule.

Por zoti Dule është i ndërgjegjshëm se ndryshimi i sistemit u bë pikërisht për të kufizuar numrin e partive në parlament.

“Gjithmonë me mendimin se kjo do të ndihmonte që të kishim një stabilitet qeverisës dhe efektivitet më të madh. Po provohet, – edhe këto ditë që përjetuam dështimin në arritjen e objektivit strategjik, që është ai i marrjes së statusit të vendit kandidat, – se kjo formulë nuk ishte funksionale në këtë rast”, tha Dule.

Një problem tjetër, ai i administrimit të procesit zgjedhor nga një numër i kufizuar partish.

“Ky është një kundërshtim dhe një shkelje flagrante e barazisë në zgjedhje. Duhet të kalojmë në administrimin civil”, theksoi Dule.

Kryetari i Partisë Bashkimi për Drejtat e Njeriut Vangjel Dule shprehet edhe në favor të përfshirjes në votime të emigracionit, që ai e cilëson si “pjesa elitare e shoqërisë sonë”. Një ide sa e drejtë dhe parimore, po që mund të rezultojë një rezervuar votash për PBDNJ-në. Sidomos po të kihet parasysh se edhe Partia Socialiste e thelloi diferencën në Himarë dhe në Sarandë, në sajë të emigrantëve të ardhur me autobusë nga Greqia.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA