Ratko Mlladic, ish-komandant i trupave paraushtarake të serbëve të Bosnjes, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të disa problemeve në veshka.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Branko Lukic, për të përditshmen beogradase “Kurir”.

“Mlladic është në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë si pasojë e një krize në veshka. Avokati i tij është shumë i shqetësuar”, shkruan gazeta.

Mlladic ndodhet në burgun e gjykatës ndërkombëtare të Hagës që prej muajit maj, kur dhe u arrestua pas rreth 15 vitesh arrati.

Ai po gjykohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid, të ushtruar ndaj popullsisë joserbe të Bosnjes.

Ish-gjenerali konsiderohet gjithashtu si përgjegjësi kryesor për masakrën e Srebrenicës, në vitin 1995, kur u vranë në mënyrë barbare rreth 8 mijë myslimanë të Bosnjes.

Top Channel