Presidenti venezuelian Hugo Chavez ka rilancuar koalicionin politik të krahut të majtë, që do ta ndihmojë atë të rizgjidhet fiks pas një viti.
Organizata të ndryshme dhe parti më të vogla po ftohen që të nënshkruajnë anëtarësimin në Polin e Madh Patriotik, përkrah Partisë Socialiste në pushtet.
“Ky është një gur themeli në kursin e revolucionit socialist”, tha Chavez në një ceremoni të mbajtur në Karakas.
Chavez është në pushtet që prej vitit 1999, pasi ka fituar vazhdimisht zgjedhjet. Lideri 57-vjecar thotë se është i vendosur të fitojë edhe një mandat tjetër, pavarësisht se iu nënshtrua një operacioni kundër kancerit në qershor.
Vetëm pak kohë më parë, ai tha se betejën shëndetësore tashmë e ka fituar dhe se kanceri është zhdukur tërësisht.
“Do t’i japim borgjezisë një mësim të mirë”, u tha ai mbështetësve në ceremoninë e mbajtur në pallatin presidencial, ku dhe kërceu e bëri shaka me të rinjtë.
Partitë politike, sindikatat tregtare dhe lëvizje të tjera sociale kanë disa javë kohë për t’iu bashkuar Polit të Madh Patriotik, i cili do të mbështesë rizgjedhjen e Chavez në tetor të vitit 2012.
Megjithatë, presidenti do të përballet me një sfidë të fortë të partive të opozitës, që në shkurt do të zgjedhin një kandidat të vetëm për të garuar kundër tij.
Opozita shpreson që ta bazojë fushatën e saj tek pakënaqësia e shkaktuar për shkak të rritjes së kriminalitetit të dhunshëm dhe rritjes së inflacionit.
Top Channel