Meksikë, arrestohen dy bosë të mafias

06/10/2011 15:50

Autoritetet meksikane arrestuan ditën e sotme një prej prijësve kryesorë të karteleve të fuqishëm të drogës në vend.

Noel Salguiro Nevarez, i vendosur nën pranga pas një operacioni madhor të koordinuar midis forcave të policisë, ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit, cilësohet si drejtuesi kryesor i klanit të Sinaloes, provincës me numrin më të madh të vrasjeve në vend.

Sipas Ministrisë së Mbrojtes, arrestimi i tij përbën një goditje të fortë për kartelet e drogës, goditje nga e cila krimi i organizuar nuk do të mund t’a marrë veten për shumë kohë.

Në të njëjtën ditë me Nevarez, në një aksion paralel, u arrestua edhe Martin Rosales Magana, një prej drejtuesve kryesor të klanit tjetër të madh të drogës, “La Familia”.

Mbi secilin prej të dy të arrestuarve, rëndojnë disa dhjetëra akuza vrasjes, grabitjesh të armatosura, rrëmbimesh dhe për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Karteli i Sinaloas vlerësohet nga ekspertët amerikanë të zbulimit si eksportuesi kryesor i heorinës, marjuanës dhe drograve sintetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lufta e shpallur e shtetit meksikan ndaj krimit të organizuar i ka kushtuar jetën deri dhjetëra mijëra personave në shtatë vitet e fundit, duke e shndërruar Meksikën në një prej vendeve më të pasigurta në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA