Afganistan, Karzai: S’ka bisedime me talebanët

01/10/2011 04:00

Presidenti afgan, Hamid Karzai njoftoi se qeveria e tij tërhiqet nga bisedimet për arritjen e paqes me talebanët.

Vendimi i Karzait erdhi pas një mbledhje që ai pati me krerët fetarë në vend dhe disa ditë pas vrasjes s ëish-presidentit dhe kryenegociatorit në bisedimet me talebanët, Burhanuddin Rabbani.

Presidenti afgan tha se ishte e pamundur kapja e liderit taleban, Mulla Omar.

“Ku është Mulla Omar?! Ne nuk mund të gjejmë vendndodhjen e Këshillit të Talebanëve se ku është”, tha ai.

Pas këtij vendimi, Karzai saktësoi se Afganistani do të përqendrohet në bisedimet me Pakistanin, i bindur se vetëm kështu mund të arrihet paqja. Pakistani javën e kaluar u akuzua fort nga Shtetet e Bashkuara për ndihmën e dhënë ndaj grupeve ekstremiste për ndërmarrjen e sulmeve në Afganistan.

Akuzat e SHBA-së ftohën edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Menjëherë pas kësaj, Islamabadi paralajmëroi Uashingtonin se mund të humbiste aleancën me të nëse do të vazhdonte akuzat publike për mbështetje ndaj militantëve.

Top Channel