Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në kuadër të funksioneve të veta kushtetuese i dha mbështetje të plotë planit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit qeveritar për Marrëdhëniet Tregtare me Serbinë.

Me t’u kthyer nga vizita treditore shtetërore në Hungari, Jahjaga priti në takim kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili e informoi për planin operacional të Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e pikave doganore në kufirin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Presidentja e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të përkrahin këto masa të Qeverisë, ndërsa nga autoritetet e Serbisë që të heqin dorë nga manipulimet me ndjenjat e qytetarëve dhe të respektojnë marrëveshjet për të cilat vetë kanë rënë dakord në dialogun e zhvilluar në Bruksel.

Edhe nga spektri politik kosovar vijnë thirrje për vendosmëri. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës lëshoi një komunikatë me të cilën inkurajon institucionet e Republikës së Kosovës, sikurse edhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, KFOR-in dhe EULEX-in, që me kujdes dhe me vendosmëri të realizojnë përmbushjen e qëllimit legjitim dhe demokratik të vendosjes së oficerëve policorë dhe doganorë në vendkalimet kufiare 1 dhe 31.

Më herët një deklaratë lëshuan edhe ambasadorët e shteteve të Kuintit, të cilët kanë biseduar gjatë ditës me kryeministrin Thaci. Ambasadorët shprehën mirënjohjen e tyre për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in gjatë përgatitjeve për këtë hap të rëndësishëm për Kosovën. Ambasadorët kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare. Ambasadorët përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe në veri, duke shtuar po ashtu se ne duhet të punojmë së bashku për të shpejtuar përpjekjet për të rivendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën tjetër të veriut. Ambasadorët theksuan se çelësi i suksesit i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte këshillimi dhe marrëveshja në mes të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA