Agron Kulicaj padit Sajmir Tahirin

13/09/2011 20:40

Nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kulicaj ka paditur deputetin socialist Sajmir Tahiri për shpifje.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit ka sqaruar se padia ka të bëjë me akuzat e Tahirit mbi kontrabandën e minerareve.

“Përgënjeshtrojmë akuzat e deputetit socialist Sajmir Tahiri për kontrabandën e mineraleve. Nëndrejtori Agron Kulicaj drejton me sukses departamentin e luftës kundër krimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Akuzat ndaj Kulicajt, Tahiri i bëri në seancën parlamentare të së martës, ku replikoi ashpër me ministrin e Ekonomisë, Nasip Naco lidhur me koncesionet minerare dhe kontrabandën e mineraleve.

“Komanda e korrupsionit kalon nga Roland Keta, kryetar i bashkisë dhe kryetar i PD në Bulqizë. Vëllai i tij ka katër licensa. Vetë Ruli kontrollon një rrjet licensash që punon për të në Bulqizë. Rrjeti shkon deri tek të paprekshmit, ata pranë kryeministrit, si Agron Kulicaj. Kontrabanda niset që nga Bulqiza dhe shkon në Kinë dhe ndiqet nga Kristo Rodi”, deklaroi Tahiri.

Kulicaj, dikur truprojë e kryeministrit Sali Berisha, akuzohet nga Partia Socialiste edhe për përfshirje në kontrabandën e derivateve të naftës.

Ndërsa në një kabllogram të publikuar nga Wikileaks, ai konsiderohej nga ambasada amerikane në Tiranë si person i lidhur me krimin e organizuar.

Në kabllogram thuhet se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është ankuar disa herë për Kulicaj, por nuk ka mundur ta lëvizë për shkak të mbështetjes së tij nga kryeministri Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA