Një skaf me 19 persona në bord, ndër to 18 klandestinë, shtetas irakianë, iranianë dhe kurdë, mes të cilëve 5 gra dhe një fëmijë, si dhe vetë drejtuesi i skafit ka rrezikuar të mbytet mesnatën e shkuar, 12 milje larg derdhjes së lumit Shkumbin.

Mjeti i drejtuar nga një skafist vlonjat është detyruar të lëshojë sinjalin SOS pasi ka pësuar defekt në motor.

Me të marrë njoftimin, dy anijet e rojes bregdetare P-131 dhe P-112 janë nisur drejt koordinatave të dhëna mbi vendndodhjen e skafit në rrezik. Më pas mjete të tjera të Policisë Kufitare dhe Guardia di Finanza janë nisur nga Durrësi dhe një nga Rradhima për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të rrezikuar nga mbytja.

Rreth orës 01.30, motovedeta e palës italiane e ka gjetur mjetin. Personat në bordin e tij ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore. Anija P-131 ka imbarkuar dhe nxjerë në breg 18 të huajtë që dyshohet se synonin brigjet italiane në udhëtimin e tyre gjatë natës. Ndërkohë skafisti Roland Cenko është marrë nga shërbimet e Policisë së Kufirit dhe Migracionit nga të cilët po pyetet dhe në lidhje me këtë rast të trafikimit të qenieve njerëzore.

Rreth orës 04.30, emigrantët kanë mbërritur në portin e Durrësit dhe pas kontrollit shëndetësor për gjendjen e tyre janë dorëzuar pranë policisë kufitare për hetime dhe veprime të mëtejshme.

Top Channel