Menjëherë pas transmetimit në Fiks Fare të skandalit që ndodhte në Zyrën Postare në Priskë, ku vjehrra punonte në vend të nuses, firmoste, vuloste dhe shpërndante pensionet edhe pse kishte dy vjet që kishte dalë në pension, reagoi Posta Shqiptare.

Një grup pune i drejtorisë së postës shqiptare të Tiranës shkoi në degën postare të Priskës dhe verifikoi të gjitha problemet e ngritura në Fiks Fare një natë më parë.

Në njoftimin e saj zyrtar, Posta Shqiptare, thekson se grupi i kontrolli u ngrit duke marrë shkas nga ngjarja e paraqitur nëpërmjet emisionit investigativ “Fiks Fare”, mbi shkeljet e përsëritura nga ana e Kryetares së Zyrës Postare Priskë, znj. Vjollca Delia. Po sot është bërë lirimi i menjëhershëm nga detyra i punonjëses nga Drejtoria e Filialit të Postës Tiranë dhe zbatimi i procedurave të mëtejshme administrative.

Një ditë më parë Fiksi denoncoi veprimet abuzive të kryetares së degës postare të Priskës, znj Vjollca Delia, e cila nuk qëndonte në vendin e punës dhe e zëvendësonte vjehrra e saj, ish punonjëse e asaj dege,tashmë pensioniste.

Bashkëpunëtorët e Fiksit ndoqën nga afër punën në këtë filial poste ku panë se zonja  Teuta  Deliu (vjehrra e kryetares së degës postare Priskë) punonte, madje shpërndante pensione dhe pagesa invaliditeti.

Vetë vjehrra pensioniste pranoi se e ndihmonte nusen e djalit në këtë punë prej dy vitesh, edhe pse e dinte që ishte duke shkelur ligjin.

Top Channel