Ambasadori  Katarit në Shqipëri, Ali Bin Hamad Al-Mari ka parë në terren dëmet e tërmetit duke qenë prezent në shpërndarjen e ndihmave emergjente. Nga Shijaku në një intervistë për Top Channel, ai flet edhe për fazën tjetër të ndihmës që do të japë shteti Katarit.

Muhamed Veliu: Zoti Ambasador si e keni përjetuar ju personalisht këtë fatkeqësi që i ka ndodhur Shqipërisë?

Ambasadori Ali Bin Hamad Al Marri: Ne jemi shumë të mërzitur dhe e përjetuam jashtëzakonisht keq këtë tërmet, nga i cili u godit Shqipëria. E këtu dua ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjeve të prekura dhe familjeve të viktimave. Urojmë shërim të shpejtë të dëmtuarve të plagosurve nga ky tërmet. Ne para dy ditësh kemi qenë në Durrës, për të parë nga afër të prekurit nga tërmeti dhe po ashtu kemi vizituar qendrën e Vorës në fshatin Marikaj dhe kemi ardhur sot në qytetin e Shijakut,  ku kemi parë familjet e prekura duke ofruar ndihmat që kanë ardhur nga Fondi Katarit për Zhvillim në bashkëpunim me Qendrën e Katarit për Bamirësi. Ne që ditën e parë kemi qenë në Durrës duke sjelle ndihmat e Shtetit të Katarit. Shteti jonë do të vijojë të jetë prezent, kjo nuk është vetëm dita e parë. Në vazhdim ne do të jemi prezent duke qëndruar në krah të popullit shqiptar.

Muhamed Veliu: Çfarë kontributi do të japë Katari dhe a ka vendosur Emiri Katarit se si do të vijojë ta ndihmojë Shqipërinë? 

Ambasadori Ali Bin Hamad Al Marri: Shteti i Katarit me në krye Lartësinë e tij Emirin Tamim bin Hamad Al Thani është gjithmonë i përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë dhe do të jenë përkrah popullit Shqiptar dhe në ditët në vazhdim presim që të vinë ndihma të tjera. Dalja jonë në terren është nën direktivat e Lartësisë së tij Emirit Tamim bin Hamad Al Thani. Kemi parë nga afër duke evidentuar nevojat e duhura.

Muhamed Veliu: Krahas ndihmave që ju po sillni po për fazën tjetër për ndërtimin e banesave, ju këtu keni ndërtuar një qendër komunitare në Xhafzotaj të Shijakut. A do të përfshihet Katari në ndërtimin e shtëpive të shembura për këte zonë apo zona të tjera?

Ambasadori Ali Bin Hamad Al Marri: Siç edhe e parashtruat edhe ju Katari është i përkushtuar për të ndihmuar popullin vëlla shqiptar dhe me lejen e Zotit Katari, shpresojmë të jetë prezent edhe në disa projekte për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shtëpive në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

 

Top Channel