Nga debatet mes historianëve dhe medias, polemikat për luftën Antifashiste- Nacional- Çlirimtare zbresin për herë të parë në gjykatë.
Arben Saliu, djali i Maman Saliut, partizan gjatë rezistencës antifashiste si edhe komandant i çetës “Sali Vranishti” kërkon drejtësi nga gjykata pasi emri i të atit është përfshirë në librin “Kriminelët e Luftës ” nga i padituri Çelo Hoxha. Paditësi dhe i padituri u ftuan nga gjykata për pajtim, por çështja do t’i nënshtrohet gjykimit të zakonshëm
“Unë kam ardhur sot këtu jo për të mbrojtur babain tim, por nderin dhe dinjitetin e babait tim që ishte një atdhetar dhe patriot idealist dhe nuk mund ta bëjnë pis njerëz, të cilët nuk e di nga çfarë ndjenjash ushqehen. Unë nuk mund të kostestoj as emrat që ka ai libër, as që mund t’i miratoj; unë kontestoj listimin e emrit të babait tim, që dje bëri luftën dhe sot duan t’i thonë kriminel . Babai im ka ikur nga jeta me 13 plagë në trup dhe është varrosur me copa predhe në trup në moshën 90-vjeçare”, shprehet Arben Saliu, djali i Maman Saliut.
I rritur në një familje të njohur patriotike, Arben Saliu vendos të flasë për dëmtimin që po i bëhet historisë duke mohuar kontributin e heronjve dhe dëshmorëve.
“Padrejtësisht etiketohet si një nga kriminelët e luftës së bashku me disa nga bashkëluftëtarët e tij siç është edhe heroi i popullit, Hysen Cino apo Mustafa Matohiti e të tjerë. Në këtë listë janë përfshirë edhe njerëz me një sens të theksuar patriotik siç është Gjergj Kokoshi. Ai luftoi dhe më pas u burgos. Nuk e di, sot jeni në 16 shtator dhe mesazhi është i qartë, luftën e bënë njerëzit liridashës. Në këtë listë ishte futur edhe Rrahman Parllaku që ka vdekur, nuk e kuptoj si mund të jetë në këtë listë Gjergj Kokoshi, Ollga Plumi, Sejfulla Malëshova, Mustafa Matoiti, Mustafa Xhani, Hajdar Dushi e të tjerë”, deklaron Saliu.
Top Channel