Koncesionet, dokumenti i KLSH/ Letra për qeverinë: Shteti do të paguajë 10 mln euro interesa fiktive për dy rrugët

15/09/2019 15:00

Dy ditë para votimit në kuvend, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë dhe parlamentit që të tërhiqen nga miratimi i koncesioneve për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat.

Top Channel publikon një shkresë konfidenciale, që KLSH i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Brace, kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi dhe ministres së infrastrukturës Belinda Balluku ku i kërkon të rishikimin e dy kontratave, pasi sipas KLSH kanë shkelje serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare.

“Pasaktësitë e mëdha të konstatuara në këto kontrata i bëjnë modelet e tyre financiare jo të besueshme dhe të paqëndrueshme në aspektin e vërtesisë së anës financiare.

Në dokumentin e fortë KLSH liston një sërë parregullsish, ku më flagrantja është ajo se buxheti i shtetit do i paguajë dy kompanive koncesionare gati 10 milionë euro interesa fiktive, për hua që nuk ekzistojnë.

“Vetëm për kontratën e Milot-Balldrenë, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme 6.1 milionë euro që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit

Sipas KLSH, interesa fiktive do të paguhen edhe për rrugën tjetër orikum dukat, ku ka llogaritje gabim të interesave, por edhe marrje të panevojshme kredi.

“Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshme, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit.

Pra në total për të dy rrugët, sipas KLSH-së qeveria do të paguajë gati 10 milionë euro interesa fiktive. Por organi suprem i auditimit thotë se përtej pagesave shtesë të interesave dy rrugët kanë rreziqe të mëdha për financat e shtetit, që burojnë nga kursi i këmbimit dhe mekanizmat e tyre të financimit.

Klodian Tomorri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA