Pas shqetësimeve të ngritura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Europian, qeveria ka ndryshuar projektligjin për korporatën shtetërore të investimeve duke u tërhequr nga drafti fillestar.

Top Channel ka mësuar se drafti i ri, i cili është formuluar në bashkëpunim mes Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave rrit disiplinën financiare të korporatës dhe ul rreziqet për financat e shtetit.

Ndryshimi më i rëndësishëm në projektligj është ai i nenit të prokurimeve. Në draftin fillestar ishte parashikuar se korporata, edhe pse një kompani publike, mund të prokuronte investime pa ju bindur ligjit të prokurimeve.

Por në projektligjin e ri, neni është ndryshuar rrënjësisht duke qartësuar se për projektet me partnerë ndërkombëtar do të zbatohen rregullat e tyre të prokurimeve, ndërsa për ato me financim të brendshëm do të zbatohet ligji shqiptar.

Prokurimet ishin një nga pikat më kritikuara nga FMN në draftin fillestar, por jo i vetmi. Një tjetër shqetësim ishte edhe integritetit të korporatës dhe risqeve që ky institucion mund të kishte për financat e shtetit. Por burime nga ministria e financave thonë se në draftin e rishikuar këto çështje janë adresuar plotësisht.

Sipas tyre, në projektligjin e ri është përcaktuar shprehimisht se korporata e investimeve do të jetë subjekt auditimi nga kontrolli i lartë i shtetit ashtu si çdo institucion tjetër publik.

Paralelisht në projektligjin e ri është reflektuar qartësia mbi financimin e Korporatës, dhe ndarjen e detyrimeve të saj nga buxheti i shtetit, sipas praktikave që zbatojnë vendet e tjera që kanë një institucion të ngjashëm.

Drafti fillestar për korporatën e investimeve u dërgua në komisionet parlamentare për votim në muajin korrik. Por qeveria e tërhoqi projektligjin nga votimi në minutat e fundit për rishikim. Në projektligjin e ri janë bërë 12 ndryshime, të cilat synojnë të ulin rreziqet e korporatës dhe të forcojnë disiplinën e saj financiare.

Top Channel