Vale e re e zhvlerësimit të euros, BSH: Normë e sezonit të verës, kursi do të rikthehet në normalitet

15/08/2019 19:43

Vala e re e zhvlerësimit të euros ndaj lekut ka hapur sërish debatet në publik për shkaqet e këtij fenomeni. Opozita dhe disa ekspertë thonë se një pjesë e dobësimit të euros është e lidhur me paratë e pista që hyjnë në ekonomi nga trafiku i drogës apo aktivitetet e tjera krimnale.

Deputeti demokrat, Agron Shehaj thotë se rënia e pakthyeshme e euros nisi në gjysmën e dytë të vitit 2016 duke përkuar me vjeljen e kanabisit të kultivuar masivisht. Sipas tij, ky zhvlerësim drastik i euros si pasojë e parave të drogës po shkatërron investimet e huaja, bizneset eksportuese, turizmin e të huajve, të cilat janë sektorët me vital të ekonomisë.

Por Banka e Shqipërisë jep një tjetër version.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka Qendrore thotë se forcimi i monedhës europiane ndaj lekut gjatë viteve të fundit është mbështetur nga rritja më e shpejtë e ekonomisë shqiptare kundrejt partnerëve evropianë. Ndërsa për valën e dytë të dobësimit që është shënuar gjatë verës së këtij viti, ku euro ka rënë në rreth 121 lekë, banka thotë se është në linjë me sjelljen e përvitshme dhe lidhet me rritjen e sasinë e eurove që vjen nga turistët e huaj. Sipas Bankës, gjatë tre muajve të fundit, forcimi i lekut ndaj euros është brenda intervalit 2 për qind që konsiderohet si normal për sezonin e verës.

Madje ekspertët e bankës thonë se  gjatë tre viteve të fundit është vënë re që efektet sezonale në kursin e këmbimit nisin më shpejt, që në muajin maj dhe arsyeja për këtë është se sezoni turistik në vend është zgjatur dhe nis më shpejt, që në maj.

Por çfarë pritet të ndodhë gjatë muajve në vijim me kursin euro lek? Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit zhvillimet ekonomike nuk mbështesin një forcim të metejshëm të lekut ndaj euros gjatë muajve në vijim.

Banka parashikon se vala e re e zhvlerësimit të euros që është vënë re gjatë mjuajve të fundit pritet të jetë sezonale dhe kursi i këmbimit pritet të rikthehet në normalitet, pa shkaktuar pasoja në treguesit e tjerë të ekonomisë, veçanërisht inflacioni apo rritja ekonomike.

Top Channel