Veliaj flet për teatrin: Shumica e heshtur arrin të bindë edhe një minorancë të zhurmshme

30/07/2019 15:17

Rikthehet për të dytën herë “Festa e Fërgesës” në mjediset e Kalasë së Tiranës, një traditë me pjesëmarrjen e restoranteve tradicionale dhe artizanëve. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi organizime të tilla që synojnë nxitjen e interesit të të rinjve ndaj traditës.

“Edhe në këto ditë, kur Shqipëria kalon prapë debate, nëse përmirësimi i disa godinave, hapësirave dhe institucioneve siç mund të jetë Teatri i Ri, Bulevardi i Ri apo zgjatimi i Lanës, kur ti shikon që përballesh me të njëjtën histeri si këtu, kur na thoshin se ferrat ishin simbole kombëtare dhe duhet të ruanim çdo gjë që nuk ishte pjesë e identitetit tonë, vë buzën në gaz dhe them: me kurajo, me guxim, me vendosmëri, shumica e heshtur arrin të bindë edhe një minorancë të zhurmshme pse gjërat duhen përmirësuar”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se investimet e Bashkisë së Tiranës synojnë pikërisht përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Unë mezi po pres që të fillojmë të rregullojmë dhe hapësirën tjetër të Kalasë; jam i sigurt se edhe aty do të thonë mos ma prek, mos ma prek, por po nuk prekëm, po nuk vumë dorë, kjo hapësirë nuk rregullohet vetë. Vizionar nuk është dikush që i bashkohet turmës, por dikush që arrin ta shohë me sytë e mendjes disa vite përpara të tjerëve, se çfarë gjëra të bukura mund të bëjmë ne shqiptarët kur bashkëpunojmë, kur fantazojmë dhe ëndërrojmë me pasionin e shpirtit tone”, u shpreh Veliaj.

Top Channel