Shqipëria nuk është vetëm shteti i atyre që ikin në emigrim, por edhe shtëpia e re e shumë emigrantëve të huaj që zgjedhin të punojnë dhe jetojnë këtu.
Statistikat tregojnë se janë me mijëra punëtorët e huaja në Shqipëri. Një prej tyre është Yusufi nga Turqia, fillimisht në vendin tonë pati vështirësi, megjithatë ai sot, me një shqipe të qartë të mësuar në 8 vite jetese në Tiranë, flet për suksesin e tij si parukier për meshkuj.
“Kam 23 vjet që punoj. 6-7 vite në Shqipëri, por edhe në Turqi këtë zanat kam pasur dhe po vazhdoj ta bëj me dashuri”, shprehet Yusufi.
Yusufi, në fillim të shtatorit pret që të hapi parukerin e tij. Punimet janë drejt fundit ndërkaq ai shprehet optimist dhe ka vendosur që përfundimisht të jetojë në Shqipëri.
“6-7 vjet kam punuar diku tjetër, tani po e hap vet. Shpresoj suskses do kemi. Do jemi 13-15 veta me kohën dhe unë do jem si ta, punëtor dhe jo pronar”, thotë Yusufi.
Një tjetër hapësirë për të punuar në Shqipëri ofrojnë edhe kompanitë që merren me shitje apo dhënie pronash me qera, të quajtura ndryshe “Real Estate”.
Oksana nga Ukrania, prej 7 vitesh punon në Shqipëri si agjente shitjesh pranë një kompanie të tillë. Ajo nuk e pati të vështirë të integrohej dhe të mësonte shqipen, e madje as që të gjente punë.
“Shqiptarët janë të mikpritës. Me ndihmuan në fillim me shqipen. Nuk është e vështirë të gjesh punë në Shqipëri. Mjafton ta duash punën dhe si i thonë në shqip, dembel, të mos jesh dembel”, thotë Oskana.
E pyetur nëse do vazhdojë të jetojë në Shqipëri, Oskana u përgjigj:
“Siç thonë edhe shqiptarët, me kismet. Për momentin nuk kam në plan të lëviz. Do jem afatgjatë këtu.”
Top Channel