“Gardianët e parajsës, njeriu dhe populli në Korenë e Veriut”, një ekspozitë fotografike e realizuar brenda vendit që jeton nën totalitarizëm dhe një dokumentar hit ndërkombëtar i titulluar ” Dita e Çlirimit”, një material filmik dhe ideologjik kontrovers i një linje që ngjall diskutim, shfaqën premierën e tyre botërore në Gjirokastrës.
E realizuar gjatë ditëve të koncertit të grupit Laibach, të parit dhe me shumë mundësi të fundit koncert rock në Korenë e Veriut, ekspozita dhe dokumentari më së shumti ftojnë për të lexuar mes rreshtave. Imazhet nuk interpretohen, por shpesh shoqërohen me slogane të propagandës prej vendit të izoluar pasi misioni i vizitës siç thonë organizatorët ishte njohja e ndërsjelltë.
” Ne zgjodhëm Gjirokastrën ose më mirë Gjirokastra na zgjodhi ne për të ndarë imazhet e jetës nën diktaturë në Korenë e Veriut. Gjirokastra dhe Shqipëria ishte dikur si Koreja dhe imazhet por edhe filmi “Dita e Çlirimit” mund t’ju kujtojnë vizitorëve pjesë nga e kaluara e tyre. Ekspozita ofron edhe një imazh sesi Shqipëria mund të ishte nëse komunizmi nuk do të kishte rënë. Ne nuk jemi kritik, ne thjesht ofrojmë një kënd për ta parë atë pjesë të botës sot ku ende besohet në komunizëm”, tha regjisori Morten Traavik.
Valentina Koça koordinatorja e projektit thotë se Gjirokastra u përzgjodh si vendlindja e diktatorit Hoxha por edhe e shkrimtarit Kadare i pari themelues i diktaturës dhe i dyti jo më pak i rëndësishëm për famën në letërsi. Kadaresë i është dashur të ecë në tehun mes bashkëpunimit dhe disidencës, krijimit dhe censurës në shtetin më totalitar dhe më të izoluar të Europës.
“Pavarësisht izolimit, pavarësisht diktaturës, marrëdhëniet njerëzore janë kudo njëlloj”, tha Valentina Koça koordinatore e projektit.
Fotografi që shkrepi imazhet përgjatë ditëve që Laibach bëri një revolucion në vendin e izoluar thotë se nuk pati shumë sfida. Ai ishte gjithnjë i shoqëruar dhe i orientuar ku të fotografonte.
“Unë besoj se kam fotografuar copa të jetës së përditshme, sigurisht censura ishte aty por nuk u ndjeva shumë i sfiduar. Mund të fotografoja në shkolla, në rrugë, në njësitë e shitjes, në punë dhe pata rast të flisja me njerëzit. Sigurisht që presioni ishte i dukshëm por qëllimi ishte njohja e popullit të Koresë”, tha Jörund Pedersen, fotograf.
Dokumentari i realizuar gjatë koncertit të Laibach, grupi i rockut që u konsiderua përgjegjës kulturor për shembjen e ish Jugosllavisë, solli detaje të censurës, propagandës dhe jetës artistike nën totalitarizëm.
Laibach i përfolur për tendenca nacionaliste, fashiste, neonaziste, totalitariste dhe tingujt të egër, arriti të këndojë në një koncert në Korenë e izoluar në prag të përvjetorit të 70 të çlirimit të vendit nga japonezët.
Top Channel