Top Story vizitoi qytetin e Pogradecit për të parë nga afër godinën e ish-Kampit të Punëtorëve. Ajo ndodhet shumë afër me vilat qeveritare buzë liqenit të Ohrit.
Çdokush që kalon për një shëtitije buzë liqenit e shikon këtë godinë që sot funksionon si hotel. Ajo çka na bën përshtypje është emri i hotelit. Ai quhet “Hotel Kalaja”. Asgjëkundi, aty rrotull, nuk ndodhet ndonjë kala e vjetër. Por përse vallë ky biznes mban këtë emër? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Hoteli mban emrin e Kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, zotit Gëzim Kalaja. Që kjo pronë i është dhënë sindikatave me dekret presidencial tashmë e kemi thënë që në fillim të këtij emisioni.
Por, përse hoteli duhet të mbajë emrin e kryetarit të sindikatës?! Përse të mos quhej “Hotel Sindikalisti” ose “Hotel Punëtori”?
Për një verifikim më të hollësishëm ne bëmë disa kërkime të shpejta. Gjetjet ishin mjaft interesante. Së pari, iu referuam inventarit që ka bërë në vitin 2010 qeveria Berisha.
Aty thuhet se pas verifikimit dhe inventarizimit në ish-Kampin e Punëtorëve (Pallati 1) Pogradec, u konstatua se ndërtesa është ekzistuese, është restauruar dhe funksionon aktualisht si Hotel “KALAJA”.
Më pas, ne iu referuam të dhënave në QKR për të parë se kujt i përket sot kjo pronë. Zbuluam se “Hotel Kalaja” menaxhohet nga shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, “I.H. KALAJA and kompani”. Numri i niptit, K 93/30/32/01/A. Data e themelimit, 03/06/2009.
Emrin e kësaj shoqëria e kuptojmë më mirë kur shohim se cilët janë administruesit dhe ortakët që bëjnë pjesë në të.
Inicialet I/H në fakt i përkasin shtetasit Ilir Hoxha. Ai është edhe administrator i këtij hoteli dhe zotëron 80% të aksioneve.
Ortaku tjetër është Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë që ka 20 % të aksioneve.
Pra, ky hotel menaxhohet nga një sindikatë në ortakëri me një biznes privat. Një situatë qesharake. Një absurd që ndodh vetëm në Shqipëri. Sindikata në vend që të bëhet palë me puntorët bëhet palë me biznesin.
Top Story arriti të sigurojë një kopje të statutit të themelimit të kompanisë I/H KALAJA. Ajo është themeluar nga ortaku Ilir Hoxha dhe Sindikata e minatorëve e përfaqësuar nga Zoti Gëzim Kalaja. Pra në thelb pas gjithë këtyre termave juridikë fshihen dy persona që përfitojnë nga ky biznes, Gëzim Kalaja dhe Ilir Hoxha. Ky i fundit është një biznesmen nga Elbasani. I njohur për investimet në fushën e hotelerisë.
Pra kryetari i sindikatës Zoti Kalaja, në këtë rast ka vepruar ndryshe nga shumë objektë të tjera që i ka dhënë me qira. Këtu ai është bërë vetë aksioner. Dhe si qershia mbi torte, i vendos hotelit emrin e tij.
“Ky është hoteli i Gëzim Kalasë. Ka qenë kampi i punëtorëve. Sindikatat kanë vjedhur pronat e punëtorëve”, thonë banorët përreth.
Top Channel