Kreu i KQZ-së Klement Zguri, në një deklaratë për mediat, ka komentuar aktet e institucionit që përfaqëson pak para zgjedhjeve lokale në vend.

Zguri tha se të tre aktet i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencës së fushatave gjatë zgjedhjeve.

“Në zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim”, tha Zguri.

Sot, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve miratoi 3 akte nënligjore:
– Një “Për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore”;

– Një “Për miratimin e formateve të standartizuara të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik, për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore;

– dhe një “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.

“Të tre aktet i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencës së fushatave, si të tilla ata marrin rëndësi të veçantë se përfaqësojnë një copë të mirë reforme. Ne jemi të bindur se zgjedhjet që vijnë synojnë përmirësim, sa i përket financimit dhe transparencës financiare”, tha Zguri.

Pjesë nga deklarata e tij:

Ne jemi të bindur, se zgjedhjet që vijnë do shënojnë përmirësim, si përsa i përket financimit, ashtu edhe përsa i përket transparencës financiare, falë këtij kuadri të ri ligjor dhe këtyre akteve që miratuam.
Nga zbatimi i këtyre tre akteve, ne presim më shumë vetëdije, ligjëshmëri dhe përgjegjshmëri nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore në veprimtarinë e tyre të raportimit financiar, qasje të standartizuar nga KQZ-së në mbikëqyrje, eficiencë në kontroll dhe monitorim, si dhe angazhim pro aktiv të shoqërisë në monitorimin e ligjzbatimit.
Në zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim.

Të tre aktet u bënë të mundur pas një punë intensive të KQZ-së me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë (NDI, Ambasada Britanike, USAID, Këshilli i Europës) dhe konsultimeve me grupet e interesit.
Puna intensive me ekspertët ndërkombëtarë për analizimin e të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me financimin e partive, studimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe identifikimin e metodologjive të cilat mund të përshtaten në vendin tonë, bëri që sot të kemi një kuadër më të plotësuar ligjor për transparencën e financave të partive poltike. Konsulta me ekspertët financiarë të partive, shoqërinë civile dhe auditët e licensuar, të cilët bashkëpunuan me ne, sugjerimet dhe opinionet e tyre të çmuara, ndikuan në konsolidimin e akteve të miratuara.

Prandaj unë dua, përmes kësaj deklarate publike, të falenderoj partnerët ndërkombëtar dhe bashkëpunëtorët e fushës për gjithë ndihmën dhe kontributin e çmuar.

Top Channel