“Shëndetësia falas” te privatët, Solis: Koha që sigurimet të marrin vlerë

11/04/2019 10:44

Shqiptaret paguajnë kontribute shëndetësore, por në fakt nuk i përdorin ato. Gjithkujt i ka ndodhur qe për një shërbim më të shpejtë shëndetësor i drejtohemi spitaleve private ku paguajmë para të tjera nga xhepi.

Kur në fakt paguajë 3.4% te pagës tonë për shëndetin të ndara këto 1.7 punëdhënësi dhe 1.7 punëmarrësi.

Ish-ministri i shëndetësisë Leonard Solis thotë se ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin ku duan të marrin shërbimin dhe t’u rimbursohet nga Fondi aq sa ata kontribuojnë.

Që kjo të ndodhë si fillim me paketat kirurgjikale e më pas me paketat patologjike.

“Është imediate të futet paketa kirugjikale. Jo falas, nuk ka shërbim falas, por t’u llogariten dhe aq sa është kosto në shërbimin publik t’ua zbresin në privat dhe pjesa tjetër që mbetet ose ta paguajnë nga xhepi ose nëpërmjet kompanive të sigurimit”, u shpreh Leonard Solis.

Qeveria shqiptare ofron disa shërbime shëndetësore në spitalet private siç janë paketat e kardiologjisë, hemodializës e të tjera shpenzimet e të cilave i mbulon Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore.

Por sipas Solisit ato i përfiton vetëm pasi ke pritur në radhë pasi ka procedurë ndërkohë që sëmundja nuk pret.

“Hemodializa funksionon shumë mirë ndërsa paketat e tjera si ato kardiologjike duhet të presësh deri një muaj radhë. Po të ndodhë diçka me urgjencë ti nuk e përfiton dot në privat”, shtoi Solis.

Ish-ministri i shëndetësisë thekson se nevojiten rreth 60 milionë euro në mënyrë që shqiptarët të marrin mbrapsht atë që paguajnë për shëndetin.

Sistemi shëndetësor shqiptar është i nënfinancuar, merr vetëm 2.8% te GDP dhe se shqiptaret paguajnë më shume se 50 % nga xhepi i tyre per shërbime shëndetësore.

Top Channel