Raporti i fundit i “Freedom House” tregon një tkurrje të demokracisë globale. Edhe këtë radhë, organizata joqeveritare me seli në Uashington, Shqipërinë e rendit në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën nga rajoni, si dhe me Pakistanin, Ukrainën, Armeninë e të tjera nga bota.
Vendi ynë nuk ka ndryshim klasifikimi, duke qëndruar po njësoj. Serbia, ndërkohë, që vitin e kaluar ka qenë në mesin e vendeve të lira, ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë” për shkak të parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe grumbullimit “de facto” të kompetencave nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiç, përtej asaj që i lejon Kushtetuta.
Te pjesa e Ballkanit tërhiqet vëmendja në veçanti te Mali i Zi, ku – siç thuhet, – presidenti Milo Gjukanoviç ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.
Te pjesa për Europën në përgjithësi, “Freedom House” thekson se dhuna ka arritur shtypin në Sllovaki, ku gazetari hulumtues Jan Kuçiak është qëlluar për vdekje, pasi ka zbuluar lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.
Një vëmendje e veçantë iu është kushtuar sfidave ndaj demokracisë në Shtetet e Bashkuara, të cilat po testojnë – sipas raportit, – stabilitetin e sistemit të saj kushtetues dhe kërcënojnë të minojnë të drejtat politike dhe liritë civile në mbarë botën.
Nga 195 vendet e vlerësuara nga “Freedom House”, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 janë jo të lira, përfshirë Sirinë e Korenë e Veriut.
Top Channel