Benjamin dhe Zymbyle Pira janë prindërit e një vajze dhe djali 21 dhe 18 vjeç, të cilët jetonin në kushte të vështira në një nga banesat pa leje që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe dhe prej pak ditësh janë sistemuar në një nga shtëpitë sociale të Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri atyre një vizitë për t’i uruar për shtëpinë e re dhe i siguroi se mund ta përdorin atë pa afat.
“Ta gëzoni, e keni e sa të doni, gjithë jetën po të doni, se ai bonusi i qirasë është vetëm tre vjet, ndërkohë këtë e kemi sa të duam. Këto janë të Bashkisë dhe e kemi vetë në dorë, ndaj më vjen mirë që jeni sistemuar. Unë them se është dita me natën me ç’ka keni qenë sepse e pashë shtëpinë që keni pasur, kjo është më e mirë sesa ajo”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai u shpjegoi banorëve të rinj se lagjja ofron çdo lehtësi, si sa i përket lëvizjes, ashtu edhe çdo shërbim tjetër social dhe shëndetësor. “Kjo është një lagje jashtëzakonisht e mirë, njerëzit janë shumë të gjindshëm, janë të gjithë hallexhinj, vijnë nga cepa të ndryshëm të vendit, por janë shumë njerëz të mirë. Autobusi vjen këtu për punët që keni në qytet, këtu ka edhe pazar, është edhe shkolla, ka edhe kopsht e çerdhe, pra është e gjithë infrastruktura, me punonjëse sociale dhe doktorë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi edhe një herë të gjithë banorët e zonës së “Astirit” se Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera shtetërore do bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar një strehë dhe kushtet e nevojshme të jetesës. “Ne kemi mbrojtur hebrenjtë, nuk i la njeri në Tiranë pa bukë e pa shtëpi, jo më njeri-tjetrin, por tani duhet të kuptojmë: Edhe rruga të bëhet, edhe njerëzve t’u japim shtëpi! Ju garantoj se jo vetëm ju, por të gjithë ata që do aplikojnë pas jush, kushdo që do të bashkëpunojë dhe do thotë, ore unë dua të bëhet rruga, por më ofroni diçka, ne jemi këtu që të ofrojmë diçka! Këtu, banesat i kemi pa limit kohor”, theksoi kryetari i bashkisë.
Ai përsëriti edhe një herë se çdo banori të Unazës që preket ka projekti, por që i mbetet një pjesë tokë që mund ta përdori si truall, bashkia do t’i ofrojë lejen e ndërtimit për të bërë një banesë të re. Sipas tij, në bashkëpunim me qeverinë do bëhet e mundur edhe sigurimi i një financimi për të ndërtuar edhe një pallat tjetër me banesa sociale, ku mund të strehohen familjet e tjera që preken nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe.
Top Channel