Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë një tjetër lidhje transporti mes tyre. Bëhet fjalë për transportin liqenor në Liqenin e Shkodrës, përmes molit të Zogajt e Shirokës në Shkodër dhe Viropazarit në anën e Malit të Zi.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë fjalës së tij në Kuvend bëri të ditur gjithashtu se do të ketë dhe një linjë transporti multimodal mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, përmes Portit të Barit, të Shëngjinit dhe atij të Barit në Malin e Zi.
“Kemi rënë dakord në kuadër të programit tripalësh Shqipëri-Mali i Zi- Itali, që mbështetet nga fondet e BE për një projekt rreth 7 milionë euro, i cili do të ketë dy objektiva specifikë: E para, vendosjen e një linje transporti multimodal mes Portit të Barit, porit të Shëngjinit dhe portit të Barit në Malin e Zi, spse bëhet fjalë për hapësirën adriatike dhe ndërlidhjen me liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna. Dhe së dyti, vendosjen e një transporti liqenor nëpërmjet molit të Virpazarit në Malin e Zi, në molin e Zogajt, Shirokës për të krijuar një mundësi që liqeni të jetë gjithashtu më i rivitalizuar se sa është sot për sot”, tha ai.
Bushati tha se ky është një projekt, i cili fillimisht do të fokusohet vetëm te transporti i udhëtarëve për t’i krijuar mundësi qytetarëve për të lëvizur më shpejt, në mënyrë më komode dhe nga ana tjetër për t’i krijuar mundësi vizitorëve të huaj për të pasur turizmin ditor, qoftë në Malin e Zi apo në Shkodër në pjesën e liqenit. Perspektiva tha ai, është që në fazën e dytë dhe të tretë kjo do të shkojë dhe në pjesë që kanë lidhje me Shëngjinin, Velipojën dhe lumin Bunë.
Top Channel