Taksat që ndryshojnë nga 1 janari, TCH zbulon draftin e qeverisë: Ulet tatimi mbi dividentin

25/09/2018 15:00

Paketa e re fiskale pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme taksash duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ndonëse drafti nuk është bërë publik, Top Channel zbulon se ndryshimi kryesor është ulja e tatimit mbi dividentin.

Aktualisht, norma e tatimit mbi dividentin është 15 për qind. Propozimi i qeverisë në paketën e re fiskale është që kjo taksë të zbresë në një nivel më të ulët.

Top Channel ka mësuar se aktualisht po shqyrtohen dy variante. I pari është ai që tatimi mbi dividentin të zbresë në 8 për qind, ndërsa varianti i dytë parashikon uljen e kësaj takse në shkallën 10 për qind. Varianti final pritet të zyrtarizohet nga vet kryeministri, gjatë ditëve në vijim kur paketa të bëhet publike.

Ulja e tatimit mbi dividentin lehtëson barrën e taksave, kryesisht për bizneset e mëdha. Por, qeveria e cilëson atë si një masë kompensuese, që pason uljen e taksave për biznesin e vogël, e cila u votua pak kohë më parë.

Përmes një pakete të miratuar në mes të këtij viti, por që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria e uli me tri herë tatimfitimin për bizneset e vogla dhe të mesme, me xhiro vjetore nga 8 deri në 14 milionë lekë në vit.

Për këto biznese, shkalla e tatimfitimit është 15 për qind. Por, sipas paketës së miratuar në mes të vitit, nga 1 janari i vitit të ardhshëm ai do të ulet në 5 për qind, një masë nga e cila sipas qeverisë përfitojnë mbi 10 mijë biznese të vogla dhe të mesme.

Të dyja lëvizjet e fundit përbëjnë një kthesë jo të vogël në politikën fiskale të qeverisë. Në vitin 2014, kur sapo erdhi në pushtet, Qeveria “Rama” rriti si tatimfitimin, ashtu dhe dividentin; nga 10 për qind që ishin në 15 për qind; ndërsa tani, të dyja këto taksa ulen gati në nivelet ku ishin.

Por, a është kjo një “mea culpa” dhe një pendesë për politikën tatimore të ndjekur deri më tani? Qeveria pretendon që jo. Sipas saj, në vitin 2014 rritja e taksave ishte e detyrueshme për të mos lejuar falimentimin e shtetit, ndërsa tani financat publike janë stabilizuar dhe buxheti ka mundësi për të lehtësuar barrën e biznesit.

Top Channel