Porto Romano nuk po mbyllet, banorët dyshues. Bashkia: E ka në dorë qeveria

05/07/2018 20:39

Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Porto Romano të Durrësit, banorët shprehen dyshues për premtimin e bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së qeverisë në Durrës. Pothuaj një muaj pas deklaratës dhe vizitës në Porto Romano, asgjë nuk ka filluar te ndryshojë.

“Ka qenë po këtu është vendi më i ndotur në botë. Një katastrofë njerëzore për jetën e fëmijëve dhe banorëve këtu. Jo vetëm për Porto Romanon, po dhe për Spitallën e të gjithë Durrësin mbarë. Këtu nuk po interesohet askush, as bashkia, as prefektura, as kryeministri, as shteti shqiptar. Këta janë vetëm për ta shkatërruar këtë vend”, tha një banor.

“Asnjë masë. I kemi bërë kërkesë kryetarit të bashkisë dhe nuk na u përgjigj. Prefekti erdhi po nuk na dha asnjë premtim. Ndaj jemi kaq të revoltuar për situatën këtu. Kryeministri ka thënë për verën tjetër, po kështu kanë thënë vazhdimisht.- shprehet dyshues ky banor”, shprehet një tjetër.

Sipas këtij banori, dëmet në shëndet për shkak të ndotjes janë të mëdha, ndërsa kujton angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për rehabilitimin e zonës nga ndotjet kimike një dekadë më parë.

“Mbi 4-5 veta kanë vdekur e të tjerë janë të paralizuar për shkak të ndotjeve që kemi këtu. Në ’97 kur u hapën depot e lindanit dhe qeveria Nano u shpreh e pafuqishme për gjendjen, ne i shkruajtëm OKB-së…Ne kërkojmë që të shuhet flaka këtu”.

Në ndërmarrjen komunale në varësi të Bashkisë Durrës drejtuesit thonë se do të merren masa në ditët e ardhshme, ndërsa puna përgatitore ka nisur më herët.

“Kemi nis punën dhe më herët se ardhja e kryeministrit nën drejtimin e Ministrisë së Mjedisit për të evidentuar problematikën e 4 vendgrumbullimeve të mbetjeve urbane, ku ai i Durrësit është më problematiku. Blerja e bazës materiale për rrethimin, shtimi I punonjësve në zonë, marrjen e masave të zjarrit. Do të bëjmë rrethimin brenda e javës po është e kotë. Duhet mbyllur kjo fushë, siç tha kryeministri”, shprehet Syri Gjergji, kryeinxhinier i ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit.

A do të mbyllet kjo fushë vitin e ardhshëm dhe çfarë masash konkrete do të merren në ditët e ardhshme në zonë? Kryeinxhinieri i ndërmarrjes Syri Gjergji thotë se vetëm qeveria mund ta bëjë.

Top Channel