Festivali i Filmit Ballkanik. Shkolla e miqve nga Shqipëria, Bosnja dhe Serbia

04/07/2018 15:45

Festivali i Filmit Ballkanik në këtë edicion të tetë ka krijuar hapësirën për të rinjtë të cilët duan të mësojnë se si mund të realizojnë një film.

Profesionistë të fushës kanë marrë përsipër të japin leksione për të rinjtë të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit, ndërsa në fund ata do të paraqesin punimet e tyre.

Një i ri nga Kosova, një i ri serb dhe një boshnjak, falë kësaj hapësire të krijuar nga arti kanë arritur që të kapërcejnë çdo barrierë mes popujve që ata përfaqësojnë. Përgjatë një jave, ata jo vetëm do të punojnë së bashku, por edhe ndajnë pjesën më të madhe të ditës.

Teksa tregojnë për këtë raport të ndërtuar mes tyre, ata madje përshëndesin në gjuhët e njëri-tjetrit. Tre të rinjtë, Ali Fejza, Filip Dimiç dhe Alban Gajtani, së bashku me profesorin e tyre Bihell Alimi, tregojnë se ata kanë arritur të kenë një marrëdhënie shumë të mirë mes tyre.

“Unë jam nga Serbia dhe punoj me shqiptarë dhe kosovarë për të ndërtuar paqe mes njëri-tjetrit. Duam ta bëjmë botën një vend më të mirë për të gjithë”, thotë një i ri serb.

Festivali i Filmit Ballkanik organizohet për të tetin vit radhazi dhe do të sjellë 70 filma nga gjithë Ballkani. Dhjetra të rinj i janë bashkuar këtij festivali dhe në fund do të prezantojnë punimin e tyre, i cili do të jetë i fokusuar në një tematikë sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA