Ankaraja hedh poshtë bashkëpunimin trepalësh të mbrojtjes, akuzon Greqinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Egje
Një gangster famëkeq i’a mbathi me helikopter nga një burg në afërsi të Parisit.
Redoine Faid u arratis pasi tre bashkëpunëtorë të tij të armatosur rëndë u ulën me helikopter në oborrin e burgut dhe e morën me vete. 46-vjeçari Faid po shlyente një dënim me 25 vjet burg për një grabitje me armë gjatë së cilës u vra një polic.
Kjo është hera e dytë që Faid arratiset nga burgu. Në vitin 2013, Faid ia mbathi pasi mori 4 roje peng dhe i përdori ata si mburoja njerëzore. Arratinë e parë ai e bëri vetëm gjysmë ore pasi ishte burgosur. Faid është i njohur në Francë jo vetëm për krimet e tij, por edhe për shfaqjet e shpeshta në televizione.
Në vitin 2009, ai shkroi një libër për përvojat e tij, ndërsa rritej në një rrethinë të Parisit mes krimeve dhe shndërrimin e tij në një kriminel. Ai pretendonte se i kishte dhënë fund kësaj jete, por një vit më vonë mori pjesë në grabitjen që i kushtoi sërish lirinë.
Mediat franceze raportojnë se në arratinë e fundit, askush nuk mbeti i lënduar dhe operacioni u bë mjaft i lehtë, pasi oborri i burgut nuk ishte mbuluar me rrjetë, si është bërë praktikë në shumë burgje evropiane, pas disa arratish të famshme me helikopter, mes të cilave edhe ajo e Alket Rizait në Greqi.
Helikopteri u largua me shpejtësi dhe u gjet nga policia i djegur. Tashmë ka nisur një operacion masiv për të rigjetur gangsterin famëkeq Redoine Faid.
Top Channel