Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri shënoi në tremujorin e parë të këtij viti nivelin më të ulët në gati 30 vjet. Sipas INSTAT për periudhën janar mars, shkalla zyrtare e papunësisë zbriti në 12.5 për qind me një rënie prej gati 1.7 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në fund të tremujori të parë të këtij viti, numri i të punësuarve në ekonominë shqiptare arriti në 1 milionë e 127 mijë vetë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të punësuar në bizneset private dhe më pas në sektorin bujqësorë.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar numri i të punësuarve është rritur me 61 mijë vetë ose 4.9 për qind, kryesisht për shkak të rekrutimeve të reja nga bizneset private.

Papunësia në Shqipëri arriti kulmin në tremujorin e parë të vitit 2014, kur shënoi shifrën 18.2 për qind. Por veçanërisht, pas fundit të 2015-ës shkalla e papunësisë është ulur me ritme të shpejta, kryesisht për shkak të rritjes së punësimit në sektorin privat, jo bujqësor.

Në tre vitet, bizneset private, pa përfshirë sektorin e bujqësisë kanë krijuar sipas listëpagesave të dorëzuara tek tatimet mbi 176 mijë vende të reja pune. Megjithatë një pjesë e kësaj rritje vlerësohet se është rezultat i formalizimit, pra vende pune që kanë ekzistuar edhe më parë, por ishin në të zezë.

Ndërkohë një tjetër anomali e tregut të punës mbetet fakti se rritja e punësimit nuk është shoqëruar me rritjen e rrogave, të cilat prej vitesh janë thuajse në stanjacion.

Top Channel