Rreth 37 mijë maturantë, përfshirë këtu edhe përsëritësit, u testuan ditën e hënë në provimin e parë të detyruar të maturës shtetërore, atë të gjuhës së huaj.
Siç është urdhëruar nga ministria e Arsimit, nxënësit u testuan në klasa, korridore dhe palestra. Disa të survejuar nga kamerat, shumë të tjerë larg syrit të tyre. Por, të gjithë të vëzhguar nga administratorët.
Provimi filloi në orën 10.00 dhe përfundoi më herët se orari i parashikuar në udhëzim. Rreth orës 12 e pak minuta nxënësit dolën në oborr, megjithëse rregullorja parashikon që dalja e tyre të bëhet në orën 12.30 për të gjithë njësoj.
Në shkollën 9-vjeçare, “Niket Dardani” u testuan maturantët e shkollës “Andon Zako Çajupi”, të cilët thonë se kanë kopjuar.
Në çdo shkollë të mesme, për mbarëvajtjen e procesit u angazhuan disa punonjës të policisë, ndërkohë që janë marrë edhe masa të tjera.
“Janë marrë në ruajtje agjencia kombëtare e provimeve dhe qendrat ku do të korrigjohen provimet me policë 24 orë”, tha drejtori i Rendit, Albert Dervishaj.
Sipas rregullores së maturës shtetërore, rezultatet e provimeve bëhen publike 10 ditë nga data e provimit, por maturantët nuk kanë të drejtë ankimimi. Provimi i radhës është ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë më datë 8 qershor, për të vijuar me matematikën më datë 13 dhe të fundit, testet me zgjedhje më datë 20 qershor.
Top Channel