Lira në pikiatë favorizon importet shqiptare. Erdogan: Nxirrni eurot nga dysheku

27/05/2018 11:29

Ekonomia turke është goditur rëndë nga ulja e shpejtë e vlerës së lirës. Në krahasim me dollarin, monedhën ndërkombëtare më të përdorur në Turqi, lira ka humbur 20 për qind.

Ky në fakt është një lajm i mirë për importuesit nga Shqipëria. Turqia është një nga partneret kryesore të ekonomisë shqiptare dhe ulja e vlerës së lirës ka bërë që në këmbim me valutë, çmimi i mallrave turke të bjerë.

Të mërkurën e kaluar, lira kapi nivelin më të ulët. Ndërhyrja e bankës turke, duke rritur normën e interesit, e rriti disi edhe vlerën e monedhës vendase. Të premten, Banka Qendrore tha se do të lejonte që disa kredi në monedhë të huaj të mund të pagueheshin në lira.

Ndërkohë, të shtunën, duke folur në qytetin lindor Erzurum, një muaj para se Turqia të shkojë në zgjedhje, Erdogan tha:

“Vëllezërit e mi që kanë dollarë apo euro nën dyshek, të shkojnë dhe t’i këmbejnë me lira. Ne duhet ta zgjidhim këtë problem së bashku. Nëse sektori financiar luan një lojë të tillë, kundër nesh, ta dijë se do të paguajë një çmim të hidhur”.

Ankaraja zyrtare pretendon se rënia e lirës është një konspiracion i fuqive të huaja për të dobësuar Turqinë. Por, në anën tjetër, shumë ekonomistë mendojnë se, ajo nëpër të cilën po kalon lira turke nuk ndryshon nga ajo që po kalojnë edhe shumë monedha të tjera në vendet e zhvilluara.

Top Channel