Pas rreth 6 orë pyetjesh dhe përballje faktesh, përfundon paraqitja e përfaqësuesve të Skënderbeut përballë Komisionit të Apelit të UEFA-s.
Veç presidentit Ardjan Takaj, përballë Komisionit të UEFA-s ka dëshmuar këtë herë edhe Sabien Lilaj, i cili ishte i kërkuar nga vet përfaqësuesit e UEFA-s, i cili së bashku me Bakari Nimagën nuk kishin folur ndonjëherë për këtë çështje.
Pas tyre janë pyetur me radhë ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, sot trajneri i Lirisë së Prizrenit; Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus; si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari.
Pavarësisht se kanë dëgjuar dëshminë e të gjithë këtyre lojtarëve dhe ish-lojtarëve, përfaqësuesit e Komisionit të Apelit të UEFA-s vazhdojnë të qëndrojnë fort pas raporteve të sistemit “BFDS”.
Sa i përket vendimit të Komisionit të Apelit, pritet që të jetë pas rreth një jave nga kjo seancë dëgjimore, por reduktimi apo heqja fare e dënimit, siç pretendojnë drejtuesit e Skënderbeut dhe avokatët e tyre, do të jetë shumë e vështirë.
Bëhet fjalë për një gjykim që bëhet brenda UEFA-s nga dy Komisione të të njëjtit organ dhe në bazë të precedentëve, Komisioni i Apelit nuk ka përmbysur një vendim të dhënë më parë nga Komisioni i Disiplinës apo i Etikës së UEFA-s.
Për këtë arsye, të pakta janë mundësitë që për skuadrën korçare të ketë një “dritë jeshile” në këtë shkallë, tashmë ata do të presin zyrtarisht vendimin që do të zbardhë Apeli dhe ndërkohë vazhdojnë përgatitjet për Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Lozanës, ku janë dhe shpresat më të mëdha për një përmbysje të vendimit që ka dhënë Etika e UEFA-s.
Synimi do të jetë zerimi i këtij denimi prej 10 vitesh pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare dhe një milion euro gjobë, por për të arritur këtë gjë, avokatët zviceranë që mbrojnë interesat e Skënderbeut në këtë çështje kanë theksuar se do të shkojnë deri në Gjykatën Federale zvicerane.
Top Channel