Thirrjes për të mbyllur aktivitetin nga ora 11:00 deri në orën 12:00 iu përgjigjën masivisht bizneset e vogla në Tiranë.

Në tregun e Medresesë, të gjithë shitësit ulën qepenat në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë për uljen e pragut të vetëdeklarimit të TVSH-së.

Edhe shitësit në Tregun Elektrik dhe në atë që njihet si “Tregu Çam” iu bashkuan protestës. Ata ulën qepenat dhe në shenjë kundërshtimi të vendimit të Qeverisë vendosën një letër me mbishkrimin “Protestoj”.

Në pjesët e tjera të Tiranës u protestua gjithashtu. Në Kamëz, Tregu i Institutit ndali plotësisht punën, ndërkohë që thirrjes iu bashkuan edhe bizneset e vogla dhe të mesme nga qytetet e tjera, si në Durrës e Korçë.

Ata refuzojnë të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, skemë në të cilën u futën që prej 1 prillit. Javën që shkoi pati protesta në disa qytete.

Biznesi i vogël ul qepenat; protestës së nisur në Tiranë i bashkohen edhe rrethet, por me bizneset është edhe opozita, e cila prej ditësh ka bërë thirrje për mospagimin e TVSH-së si një formë të mosbindjes civile. Deputetë të PD dhe të LSI-së u shfaqën në krah të biznesit të vogël në Medrese dhe tek Tregu Elektrik.

Vetë kreu i opozitës vazhdon të jetë i bindur se pas përfshirjes në skemën e TVSH-së edhe të biznesit të vogël qëndron një projekt i ri koncensioni. Akuzën e çon direkt në familjen e kryeministrit. Sipas Bashës, përfitimi i qeverisë në buxhet nga vendosja e kësaj takse është mininimal, ndërsa kostoja për bizneset dhe qytetarët është e madhe.

Protesta e biznesve është e treta e madhe që po zhvillohet brenda 10 ditësh, pas asaj kundër pagesës në “Rrugën e Kombit” dhe bllokimit të rrugëve në 4 pikat kryesore të vendit.

 

FOTO GALERI
1/19

Top Channel