Komisioni i Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit në UEFA ka marrë edhe zyrtarisht vendimin për dënimin 10-vjeçar të Skënderbeut nga kupat e Europës, si dhe gjobitjen prej një milion eurosh, pas akuzave për trukim, duke lënë në fuqi pretencën e kërkuar nga inspektorët e saj.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 21 marsit të këtij Komisioni, ndërkohë që është bërë zyrtar vetëm këtë të enjte, edhe pse Skënderbeut dhe palëve të përfshira u është kërkuar që të mos e bëjnë publik.
Sipas vendimit, gjoba duhet të paguhet brenda 90 ditëve nga komunikimi zyrtar i tij.
Gjithsesi, ky vendim është subjekt apelimi, ndaj pritet që Skënderbeu ta apelojë në Komisionin e Apelit të UEFA-s, si shkallë e dytë, e më pas në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, në Lozanë.
Top Channel